Pak muaj pasi u publikuan fotot nga filmi biografik i Princeshë Dianës, është lançuar edhe traileri i tij. Ditën e sotme është bërë më në fund publik traileri i parë i filmit “Spencer”, që tregon një fundjavë nga jeta e Princeshë Dianës, që luhet nga Kristen Stewart. I vendosur në një fundjavë dhjetori të vitit 1991, filmi tregon Princeshë Dianën teksa kalon Krishtlindjen me familjen mbretërore dhe më pas merr vendimin për t’i dhënë fund martesës me Princin Charles.
Në film fansat mund të shikojnë se si kalohen pushimet në rezidencën e Mbretëreshës Elizabeth në Sandrigham ndërkohë që stafi përgatit ushqimet dhe organizon se çfarë do të veshë Diana në çdo hap. Familja mbretërore shihet duke u ushqyer, duke shkuar në kishë dhe duke bërë foto të portretit familjar, ndërsa Diana dhe martesa e saj po shkatërrohet. “Ne vendosëm që të tregojmë një histori për identitetin dhe se si një grua vendos që në një mënyrë të mos jetë mbretëreshë. Ajo është një grua, që në udhëtimin e filmit, vendos dhe kupton se ajo dëshiron që të jetë gruaja që ishte para se të njihte Charles”, u shpreh regjisori vitin e shkuar për “Spencer”.
Filmi me regji të Pablo Larrain do të dalë në kinema në 5 nëntor dhe të gjithë po presin me padurim të shohin të plotë një nga dramat më të mëdha të familjes mbretërore. Përveçse është komplimentuar për portretizmin e rolit të Princeshë Dianës, fansat kanë përgëzuar Kristen Stewart edhe për faktin që ka arritur të mësojë në mënyrë perfekte theksin anglez.