Familja Berisha, inatin me Ramën dhe SHBA, e ka nxjerrë edhe tek afganët e ardhur në Tiranë nga lufta, të cilët janë sulmuar me tone raciste nga ana e portalit të financuar nga Shkëlzen Berisha. “Prej dy ditësh Shqipëria ka nisur pritjen e refugjatëve afganë që ia kanë dalë të largohen nga Afganistani duke shpëtuar nga talebanët dhe situata e sulmeve atje. Mes kamerave, pritjes ceremoniale të ambasadores Yuri Kim, ministres Olta Xhaçka dhe kryeministrit Edi Rama, 275 afganë tashmë janë të sigurtë, dhe ky është një lajm shumë i mirë.

Por ajo që ka kaluar pa u kuptuar edhe në këtë rast është diferencimi mes të barabartëve si shprehje e formës së pushtetit ku vendos vetëm një njeri. Grupi i parë i afganëve prej 121 afganë u strehuan në një resort luksoz tek Mali i Robit në Kavajë. Të nisur nga Tbilisi i Gjeorgjisë, grupi prej 121 afganë bashkë me familjet e tyre ishin punonjës në Afganistan të Fondacionin të Sorosit “Shoqëria e Hapur”. Siç e do edhe zakoni, kryeministri shkoi edhe në mbrëmje, ku fëmijëve afganë iu dhuroi lodra.

Mediat sociale nuk lanë pa pikasur faktin se refugjatet e vendosura aty mbanin veshur marka të njohura si Gucci dhe Chanel. Mund të jenë false? Ndoshta, por dihet se korrupsioni masiv i OJF-ve në Afganistan është nënvizuar nga shumë raporte ndërkombëtare.

Në mbrëmje, në Shqipëri mbërriti grupi i dytë i afganëve. Aktivistë dhe qytetarë u pritën nga treshja Kim-Xhaçka-Rama dhe menjëherë u dërguan në ambientet e konvikteve në Qytet Studenti. “Shtëpia e shqiptarëve është e mikut dhe Zotit”, citoi Edi Rama Kanunin e Lekë Dukagjinit 3 netë më parë në CNN. Por kur shohim këto pamje, vëmë në dyshim citimin. A u pritën afganët me Kanunin e Lekë Dukagjinit apo me atë të Edi Ramës? Pse grupi që ka punuar për Fondacionin e Soros u çua në hotel luksi dhe të tjerët në konvikte? Kush e ndau se kush janë më të rëndësishëm, më të rrezikuar, më të pasur apo më të varfër? A ka një strategji të vendosjes së afganëve në Shqipëri në bazë të komunitetit përreth zonës ku ata vendosen”, shkruan portali i familjes Berisha.