Godina e re e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Berat garanton kushte dinjitoze për punonjësit dhe qytetarët të cilët paraqiten pranë saj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot ambientet e reja të kësaj drejtorie, e cila me mjedis bashkëkohor shërbimi e pritjeje për qytetarët, kryen afro 90 mijë shërbime në vit. Balluku u shpreh se godina e re në Berat është, “një nga pjesët më të rëndësishme të transformimit që kemi vendosur prej muajsh tashmë që të bëjmë në të gjitha godinat ku ofrohet shërbim në Drejtoritë Rajonale të transportit”. Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja tha se, “jemi në një nga qarqet që mbledh 5 bashki dhe kryen rreth 90 mijë shërbime në vit. Kemi një numër të madh mjetesh edhe këtu. Auto-motorizimi është një shërbim që ka shumë sektorë që ofrojnë shërbime për qytetarët. Ishim në kushte shumë të vështira në Berat. Në qarkun e Beratit ne kalojmë nga një situatë e së shkuarës, jo vetëm me qira, se në fund të fundit nuk është problem vetëm qiraja, por ishim në kushte degradimi total”.
Balluku kujtoi vizitën e saj të parë në këtë Drejtori. “Në vizitën time të parë në Drejtorinë Rajonale këtu në Berat, kërkonim për t’u futur brenda dhe përpara na doli një mal i madh skrapi, sepse ishte një pikë mbledhje hekurishtesh dhe më pas shfaqej godina që e kishim me qira, që kishte kafen më të mirë sesa godinën. Këtë mbaj mend nga vizita ime e parë këtu në Berat”, tha Balluku.
“Ndërkohë që do të thosha me shumë krenari që çfarë shohim tani është akoma dhe më e bukur se pamjet që kemi parë në projektin 3D ditën e parë”, u shpreh ministrja.
Drejtori Gonxhe u shpreh se, “jemi me të vërtetë në një nga qendrat që mund të themi me plotë gojën që është besoj më e mira në nivel rajonal. Këto kushte nuk i kemi as në Tiranë sot në shërbimet tona. Është një investim i plotë, është një kompleks. Është në 5 mijë e pak metra katrorë sipërfaqe e gjitha e rikonceptuar për ne, e blerë nga ne, pronë e ndërmarrjes, e siguruar nga ana jonë. Ndërtim i ri sipër 1150 m2 me të gjitha shërbimet e sigurisë, që nga arkivat që janë në kat të tretë, sistemet kundër zjarrit, sistemet e monitorimit, të gjitha llojet e rrjeteve, të gjitha llojet e furnizimeve, ushqimeve. Për çdo rast do të punojmë ditë natë me turne të tjera, me ndriçim jashtë, me vende parkimi, me gjelbërim. Pra me gjithçka”.
“Mendoj se ky do të jetë standardi jonë për drejtoritë rajonale dhe mendoj se do të jetë dhe një frymëzim për të ecur kështu dhe në drejtoritë e tjera. Ne po investojmë sigurisht dhe në rajonale të tjera, por këtu mundëm të punonim pastër në një parcelë të vërtetë, buzë rrugës që do t’i japë dinjitet auto-motorizimit në këtë qark”, tha Gonxhe. Balluku u shpreh se, Berati e meriton këtë investime, pasi Berati renditet i 9-ti në rang Republike sa i përket numrit të shërbimeve publike në vit që ofrohen.
Në Berat si drejtues mjetesh janë të regjistruar 39 mijë persona dhe mjete 29 mijë.
Balluku theksoi se sa, “i përket pjesës jugore të Shqipërisë Berati renditet i treti, pas Fierit dhe pas Vlorës. Kështu që e meritonte Berati këtë investim. Tashmë e kemi praktikë, nuk marrim më ndërtesa me qira. Nuk hedhim para të taksapaguesve apo shtetit. Në këtë rast të DPSHTRR kemi një instrument të ndryshëm, pra qytetarët paguajnë për shërbimet e tyre dhe këto para investohen akoma më tej, qoftë në teknologji , qoftë në ndërtesa dhe sigurisht janë vlera që i mbeten shtetit dhe kjo është shumë e rëndësishme, është diçka që e kemi bërë edhe në rrethe të tjera. Dhe Berati ishte ndër të parat që kemi identifikuar. Berati 1, Laçi 2 Fieri 3. Kanë qenë tre pikat kyçe në të cilat ne vendosëm që të ndërhynim menjëherë”. Balluku theksoi se, “në këtë ndërtesë janë aplikuar eficencat e energjisë, që tashmë aplikohen në të gjitha ndërtesat e reja, private apo shtetërore”.
Balluku shtoi se, “ne sot na duhet që të mbyllim të gjithë zinxhirin dhe linjën e ndërtesave. Kjo nuk ka të bëjë as me komoditetin e punonjësve të drejtorisë dhe as me idenë për të bërë ndërtime. Sepse kemi dëgjuar akuza nga më të ndryshmet. Kjo nisëm e ka zanafillën tek shërbimi që duhet t’i ofrojmë publikut. Pra, në rast se ne e kemi rritur tashëm të gjithë cilësinë e ofrimit të këtij shërbimi, nuk ka sesi ofrohet as në baraka të përmbytura, as në vende të cilat janë totalisht të padenja për t’u përfaqësuar shteti. Kështu pra duke mbyllur të gjithë ciklin e rikonstruksionit apo të ndërtimit të disa prej këtyre godinave, ne kalojmë pastaj në një fazë të dytë që është e rëndësishme dhe që presim padyshim që edhe ajo të ketë të gjithë vëmendjen e DPSHTRR, që është pjesa e dixhitalizimit”. “Kemi nisur prej kohësh sa i përket dhënies së provimeve për marrjen e lejes së drejtimit, por sigurisht edhe arkiva edhe gjithçka tjetër. Është synimi ynë që të dixhitalizojmë çdo hap dhe çdo proces të këtij të këtij institucioni kudo që ndodhet”, tha Balluku.