Nga Arjan Galdini/
Lëvizja e Re si parti e djathtë dhe opozitare, mbështet energjikisht dhe pa asnjë rezervë vendimet dhe qëndrimet e Sekretarit të Shtetit Blinken, si edhe qëndrimet e përsëritura të Ambasadores Amerikane Yuri Kim për ti dhënë fund historisë me të korruptuar e të plotfuqishëm të pandëshkueshëm në politikën shqiptare. Ne si LRE besojmë se pluralizmi politik i fituar me firmën e Ramiz Alisë në dhjetorin e vitit 1990, ka qenë një pluralizëm i rrjeshëm, i diktuar e stisur nga vetë Ramiz Alia.
Fakti që pas 30 vitesh ne kemi një pluralizëm me “Liderë Historikë” dhe Liderë të Pagabueshëm e të Pandëshkueshëm, është dëshmia më e qartë e dështimit tonë të madh e mos arritjes së standarteve e vizionit demokratik për të cilin u ngritëm, luftuam e shpresuam në fillimin e viteve ’90. Fakti që pas 30 viteve, kemi ende histori personale liderësh që kthehen në çështje kombëtare e në debate ndarëse në shoqëri, janë dëshmia më e qartë e pikëlargësisë sonë nga demokracia dhe Perëndimi.
Fakti që pas 30 viteve Lideri Historik e mbyt liderin në detyrë, është dëshmia më e qartë se mungon botëkuptimi demokratik. Fakti që pas 30 viteve Lideri Historik thërret në aleancë çdo qytetar e anëtar të partisë së tij, për të mbrojtur Liderin Historik, është dëshmia e prapakthimit historik. Që Shqipëria të mos ketë më pasoja nga haxhiqamilizmi dhe dumbabizmi, e djathta dhe opozita në Shqipëri, duhet ta konsiderojë qartazi Sali Berishën si komunistin e fundit të Ramiz Alisë që ka marrë peng Partinë e Parë Opozitare dhe të Djathtë në vendin tonë.
E djathta duhet të jetë me SHBA. Sali Berisha është me Ramiz Alinë e duhet lënë tek e shkuara njëlloj si çdo rudiment i së shkuarës komuniste. LRE u bën thirrje të gjithë të djathtëve dhe opozitarëve në Shqipëri që të ndahen qartazi nga komunisti i fundit i Ramiz Alise shoku Sali Berisha e të deklarohemi të gjithë së bashku pro SHBA dhe pro Perëndimit. Që të kemi të ardhme, duhet të zgjedhim SHBA dhe Perëndimin. LRE është e djathta humane, pro Reformës në Drejtësi dhe pro SHBA.