Trupat amerikane kanë filluar tërheqjen e tyre nga aeroporti i Kabulit, njoftoi të shtunën Pentagoni, pas një operacioni për më shumë se dy javë në përpjekje për të nxjerrë nga Afganistani shtetasit amerikanë dhe aleatët e tyre afganë të cilëve iu rrezikohet jeta nën drejtimin e talebanëve. Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kishte më pak se 4000 trupa të mbetura në aeroport, nga 5800 që u dërguan për misionin e evakuimit. Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby më vonë u konfirmoi gazetarëve se tërheqja kishte filluar, por nuk pranoi të jepte një numër sa sa forca amerikane ishin ende në Kabul.
Ndërsa po largohen nga Afganistani, SHBA po ashtu njoftoi se kishte vrarë dy militantë të Shtetit Islamik. “Nga sulmi me dronë u vranë vrau dy planifikues të sulmeve në aeroportin e Kabulit dhe u plagos një tjetër në provincën Nangarhar”, tha Gjeneral Majori i ushtrisë amerikane William Taylor. Sulmi ajror u ndërmor përtej Afganistanit më pak se 48 orë pas sulmit vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, që vrau 13 amerikanë dhe 169 afganë. Presidenti Joe Biden deklaroi të enjten se autorët e sulmit nuk do të mund të fshiheshin. “Ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”, tha presidenti.
Për këtë sulm reaguan dhe talebanët. “Amerikanët duhet të na kishin informuar para se të kryenin sulmin ajror. Ishte një sulm i qartë në territorin afgan”, tha një zëdhënës i talebanëve për Reuters.
Zëdhënësi Zabihullah Mujahid tha gjithashtu se talebanët do të marrin aeroportin “shumë shpejt”, pasi forcat amerikane të tërhiqen dhe të jetë formuar qeveria e re në ditët në vijim. Qeveria dhe ushtria afgane e mbështetur nga Perëndimi u rrëzuan brenda pak ditësh, ndërsa militantët islamikë hynë në kryeqytetin e vendit më 15 gusht./ VOA