Rreth gjashtëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut që ndodheshin me punë në Afganistan janë evakuuar përmes fluturimeve civile dhe ushtarake amerikane drejt Dohas në Katar dhe Abu Dabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i tha medias në Shkup se janë 14 shtetas të tjerë në vend të sigurt, në bazën e NATO-s në Kabul, se 11 do të evakuohen sot (e martë), ndërkohë që tre të tjerë me vullnetin e tyre dëshirojnë të mbeten për të punuar në bazë dhe se ata do të evakuohen së bashku me ushtrinë (amerikane).
Ministri Osmani tha se në të gjitha qytetet ku bëhet evakuimi i këtyre shtetasve është aktivizuar rrjeti diplomatik me qëllim të ndihmës nëse paraqitet nevoja gjatë rrugës për në shtëpi.
Ndërkohë, Kompania Ecolog, e cila është nën-kontraktore e ushtrisë amerikane, ka bërë evakuimin e punëtorëve të saj nga Afganistani para fillimit të krizës atje, i tha Zërit të Amerikës një përfaqësues i kompanisë në Tetovë.
Maqedonia e Veriut do të pranojë rreth 450 civilë afganë, familjarë të përkthyesve e punonjësve të ushtrisë amerikane dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, jeta e të cilëve është në rrezik me marrjen e pushtetit atje nga Talebanët.
Ata do të vendosen në një karantinë dyjavore, varësisht statusit të vaksinimit. Numri më i madh i tyre, sipas ministrit Osmani, janë gra dhe fëmijë dhe do të vendosen nëpër hotele, motele e pushimore. Autoritetet në Shkup bëjnë me dije se shpenzimet do të mbulohen nga organizatat ndërkombëtare dhe nga qeveria amerikane.
Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) i ka dorëzuar autoriteteve maqedonase një listë shtesë me emra të shtetasve afganë dhe Ministria e jashtme po e shqyrton atë. Autoritetet qeveritare thonë se pjesa më e madhe e civilëve afganë pritet të arrijnë këtu deri në fund tëë javës, varësisht rrethanave në aeroportin e Kabulit.