Nuk ka asnjë reflektim në kampin e opozitës, për aktin politik të dorëheqjes së Mark Markut nga mandati i deputetit, vetëm pak ditë para mbledhjes së Parlamentit të ri. I vetmi reagim, nuk erdhi nga lidershipi i PD, por nga militantët e saj. Nuk erdhi nga strukturat zyrtare të partisë, por nga gardistët e propogandës së saj virutale, që reflektojnë në thelb mendimet e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Mark Markut mund ti thuash çdo gjë, por askush nuk mund të thotë dot, se e ka bërë këtë akt nga pozitat e dikujt që dëshiron të çojë uji në mullirin e PS dhe Edi Ramës. Përkundrazi. Ka shumë të majtë që mund të thonë shumëçka për Profesorin e gazetarisë, përsa i përket etikës që ai ka reflektuar, në arenën e debatit publik televiziv. Por nuk ka asnjë të djathtë, që të ketë qenë i pakënaqur deri dje, me zellin ekstremist të tij në mbrojtje të kauzave të tyre.
Mark Marku ka qenë udhëheqësi politik i fushatës elektorale të PD për qarkun e Lezhës dhe pjesë e “pesëshes” së komisionit që përzgjodhi, listën finale të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Ai ka qenë edhe më parë deputet i PD dhe në vijimësi një nga skifterët e vijës së ashpër opozitare.
Por asnjëra veç e veç dhe as të gjitha bashkë, nuk mjaftoi për të patur mirëkuptimin e opozitarëve. Për ta Mark Marku e kushdo tjetër, është më i miri, vetëm kur është brenda gardhit të SHQUP. Nëse mbetet i njëjti, por ikën nga rrethimi, ai është njësoj si të gjithë të tjerët: ARMIK. Berishizmi dominon prej 30 vjetësh mendimin e veprimin opozitar, sipas motos: O me ne, o kundra nesh. Rrugë të mesme nuk ka!
Askush nuk e mori mundimin brenda gardhit opozitar, që ta lexonte me qetësi e ftohtësi tekstin e dorëheqjes së Mark Markut. Për ta analizuar atë në kontekstin e zhvillimeve aktuale dhe atyre që e presin PD dhe opozitën në shtator, sapo të nisi punimet Parlamenti i ri. E të gjente në të, pjesën racionale të kritiktës së ish deputetit të tyre, por edhe justifikimet e veta ndaj qëndrimeve të tij.
Jo. Askush nuk denjoi që tia hidhte sytë tekstit të dorëheqjes. Askush nuk e lexoi letrën e Mark Markut. Askush nuk deshi ta kuptojë. Askush nuk mendoi. Askush nuk gjykoi. Askush nuk analizoi. Askush nuk reflektoi. Askush nuk deshi të shkonte tek arsyet apo mos arsyet e saj. Askush nuk e kishte shikimin e kthjellët për të lexuar mes rreshtave apo prapa tyre. Jo.
Ka kohë që opozitarëve tanë u është fikur llampa e gjykimit racional, ndaj nuk e shohin me kthjelltësi situatën ku ndodhen, për të gjetur rrugën më të mirë për të mbërritur në destinacion. Ndaj e gjitha çfarë ndodhi në 24 orët e fundit, më shumë se sa një proces linçimi brenda llojit, ishte paqyrë e degradimit të plotë opozitar. E cila dëshmon, se tashmë e kanë humbur jo vetëm fillin, por edhe arsyen!
Të vetmit që e mbrojtën publikisht brenda PD, ishin Flutura Açka dhe Agron Gjekmarkaj. Të dy rioshë në Grupin Parlamentar të PD dhe njerëz të letrave e arsimit, që edhe përpara angazhimit politik, kanë qenë më pranë Mark Markut se të tjerët. Pavarësisht se nuk binin dakord me të gjitha argumentat e vendimin e tij, e thanë fjalën e tyre publikisht duke e mbrojtur, e duke bërë thirrje që të ndalonte kjo fushatë.
Më shumë sesa vlerë, mbrojtja e tyre ishte edhe termometri për të matur saktësisht, temperaturën e tmerrshme të vlimit të së keqes që ka kohë që gëlon brenda PD dhe opozitës. E gjitha kjo, dëshmon sesa të drejtë kishte Mark Marku që u largua, por edhe sesa më keq janë realisht punët brenda PD, e cila siç tha ai tashmë ka përfundur në pronë për punët dhe hallet personale të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës./ Alpenews.al