Andriy Shevchenko ka dhënë dorëheqjen nga detyra si trajner i Ukrainës, pas një periudhe pesëvjeçare në krye të përfaqësueses së vendit të tij, që përkon me përfundimin e kontratës. 44-vjeçari, që fillimisht ishte asistent, u emërua trajner i parë në vitin 2016. Pasi dështoi ta kualifikonte Ukrainën në Kupën e Botës 2018, Shevchenko e udhëhoqi vendin e tij në finalet e “Euro 2020”, duke shkuar deri në çerekfinale. Sidoqoftë, ish-sulmuesi legjendar i Milanit njoftoi këtë të diel se nuk do ta zgjaste kontratën.
“Sot, kontrata ime me Federatën e Futbollit të Ukrainës përfundoi. Kam kaluar pesë vjet me ekipin kombëtar. Ishte punë e vështirë, që dëshmoi se ne jemi të aftë të luajmë futboll modern. U jam mirënjohës presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv të Federatës për mundësinë që më dhanë për të punuar me ekipin kombëtar të Ukrainës.
I jam mirënjohës çdo lojtari, çdo personi që ndihmoi dhe u përfshi në ekip. Shumë faleminderit të gjithë tifozëve për mbështetjen dhe kritikat e tyre.
Së bashku arritëm të tregojmë se futbolli ynë mund të jetë konkurrues, produktiv dhe emocionues,” – shkruan Shevchenko në një postim në Instagram.