Policia e Himarës ka shpallur në kërkim pronarët e dy objekteve në Dhërmi, pasi kanë ndërtuar kate shtesë në kundërshtim me lejen e ndërtimit dhe projektin fillestar
Sipas uniformave blu, pas verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se shtetasit Spiro P., 51 vjeç dhe Kristaq B., 66 vjeç, në objektet në pronësi të tyre kishin ndërtuar kate shtesë, në kundërshtim me lejet e ndërtimit.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e marra se dy shtetas që kishin ndërtuar dy objekte në Dhërmi kishin dalë jashtë projektit dhe lejes së ndërtimit pasi kishin ndërtuar kate shtesë, kanë ushtruar kontroll për verifikimin e dokumentacionit.
Si rezultat i verifikimit të dokumentacionit rezultoi se shtetasit S. P., 51 vjeç dhe K. B., 66 vjeç, në objektet në pornësi të tyrë kishin ndërtuar kate shtesë, në kundërshtim me lejet e ndërtimit.
Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim policor për veprën penale Ndërtimi i paligjshëm, shtetasit S. P., 51 vjeç, banues në Vlorë dhe K. B., 66 vjeç, banues në Dhërmi.
Vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për moskontrollin e zbatimit të projekteve fillestare të përcaktuara në lejet e ndërtimeve që këta shtetas kishin përfituar nga organet kompetente.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale Ndërtim i paligjshëm.