Policia Rrugore në vijim të kontrolleve për parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë 24 orëve të fundit njoftoi se janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Sipas policisë, janë pezulluar 49 leje drejtimi, nga të cilat 33 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti në sens të kundër. Po ashtu policia ka ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1760 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Pavarësisht se në çdo aks rrugor dhe qendra urbane ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike, ka përsëri shumë drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë që ka arritur deri në 191 km/h në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, me alkoolin në timon, deri në masën 1.22 mg/l, me përdorimin e celularit në timon dhe më keq akoma me drejtimin e automjetit, pa leje drejtimi.
22-vjeçari F. M., nga Durrësi, duke drejtuar mjetin fuoristradë me 150 km/h në Bypass-in e Fierit është konstatuar nga Policia Rrugore e Fierit, me radar, me shpejtësi 150 km/h dhe nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por ka vijuar me shpejtësi në drejtim të Vlorës, ku është konstatuar nga radari i Policisë Rrugore të Vlorës me 159 km/h në autostradën Levan-Vlorë, ku dhe është ndaluar nga shërbimet policore. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 29.000 lekë të rinj, me 10 muaj pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje prej 6 pikësh nga leja e drejtimit. Nga Njësia Operacionale për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë është goditur një rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë. Është vënë në pranga shtetasi A. P., 19 vjeç, pasi për të shmangur masën administrative, u ka ofruar punonjësve të Policisë, një shumë parash.
Policia e Shtetit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e personave që humbën jetën në aksidentin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në aksin rrugor Jergucat-Muzinë dhe apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me korrektësi të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimalisht për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe administrative të gjithë shkelësit e Kodit Rrugor, por njëkohësisht thekson se duhet reflektim dhe përgjegjshmëri nga të gjithë për të mbrojtur jetën kur jemi në rrugë dhe jo vetëm kur ndodhin ngjarje të tilla.
Përgjatë fundjavës do të intensifikohen akoma më shumë kontrollet, nisur edhe nga fakti se në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike ka akoma fluks të shtuar. Gjithashtu ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional. Policia Rrugore i bën apel drejtuesve të mjeteve të mos shpejtojnë, mos të kryejnë parakalime të gabuara, mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorin celularin në timon, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse. “Mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, respektoni rregullat e qarkullimit që të arrini të sigurt në destinacion, mos u bëni statistikë”, – thekson policia.