Nga Klevis Bakillari
Sllavët që zbarkuan në Ballkan në shek.VI deri në shek.XI lanë gjurmë tek toponimet të cilat shpërthyen si kërpudhat pas rrebeshit të dyndjeve sllave në Shqipëri. Sidomos jugu i Shqipërisë ka një dendësi ekstremisht të lartë vendemërtimesh me prejardhje sllave. Nëse i përmbahemi apo gërmojmë në lëmin e toponomastikës,ne do të shohim se toponimet motivohen dhe vendosen duke iu përmbajtur një karakteristike etnologjike,kulturore,gjeografike apo edhe historike të një treve. Për mua, emërtimi duhet të përbëjë një konglomerat historiko-etnokulturor ose gjeografik që të ketë një funksionalitet të plotë kulturor e social.Pra një toponim duhet të jetë i motivuar që të jetë funksional dhe përfaqësues. Shqipëria ka qënë dhe mbetet një nyjë nevralgjike historike dhe gjeografike. Si e tillë, ka qënë e pashmangshme shmangia e ndikimeve të pushtuesve nëpër shekuj. Dyndjet sllave dhe pushtimi osman kanë lënë pas gjurmë të paprishura deri sot. Tashmë trojet e Shqipërisë kanë një numër pambarimisht të madh toponimesh të pamotivueshme, dhe është e pritshme që legjendat dhe mitet që “shpjegojnë” origjinën e këtyre emrave të jenë po aq pambarimisht të shumta. Vetëm se funksioni i këtyre legjendave është psikologjik, sa kohë që ato e bëjnë emrin e huaj të pranueshëm për folësin, duke e integruar në kulturën shqipfolëse, ose duke ia veshur, si të thuash, një kostum popullor; por përndryshe ato nuk luajnë absolutisht asnjë rol në komunikim. Përkundrazi, emrat e motivueshëm, interferojnë mirë me komunikimin.
Së pari, duhet të mbajmë veç faktet nga hipotezat. Që ka toponime sllave në Shqipëri, madje të tilla që ta mbizotërojnë toponiminë e mesme (emra fshatrash, emra entitetesh gjeografike si male, gryka, përrenj), ky është fakt.Gjithashtu është fakt që këto toponime i përkasin Mesjetës para-osmane dhe janë të përhapura në mënyrë pak a shumë homogjene – në kuptimin që i njëjti toponim del në zona ndonjëherë shumë të largëta nga njëra-tjetra në hapësirë. Duam apo nuk duam ne sot, toponimet sllave i japin një unitet Toskërisë fshatare, që nga Mokra deri në Labëri.Një fakt tjetër me rëndësi është se toponimet sllave i gjejmë me shumicë të madhe në zona që sot nuk kanë ndonjë kontakt as gjeografik as njerëzor me trojet e banuara prej sllavëve – për shembull në Mallakastër, në Skrapar, në Kurvelesh dhe në Labëri. Statusi i toponimeve sllave në këto krahina (në raport me banorët e tyre) nuk është i njëjtë me statusin e toponimeve të ngjashme, bie fjala, në Kosovë. Edhe një fakt tjetër: banorët e këtyre viseve janë shqiptarë denbabaden, dhe shumica nuk e kanë idenë se emrat e fshatrave dhe të maleve dhe të krahinave të tyre janë me origjinë sllave. Për më tepër, këto emra, si njësi leksikore, janë integruar mirë në gjuhë dhe funksionojnë ekzaktësisht si çdo fjalë tjetër shqipe – në kuptimin që nuk krijojnë ndonjë vështirësi funksionale, as ndonjë thyerje të sistemit. Madje aty ku ka patur vështirësi shqiptimi, vetëvetiu përshtatja fonetike i ka sheshuar ato. Tani, sa për atë se si ka ndodhur që janë vënë këto toponime dhe, aq më tepër, si ka ndodhur që janë ruajtur kaq gjatë, këtë veç mund ta diskutojmë. Mund të themi me siguri se ato lidhen njëfarësoj me dyndjen e sllavëve në Ballkan, por vetëm kaq – të tjerat janë konstruksione. Vetëm në rastet kur përkthimi i disa emërtimeve pasqyron përbërjen gjeografike dhe të relievit të trevës ne kemi një fakt të emërtimit i cili prodhon funksionalitet ndërsa në rastin e disa emërtimeve të tjera, miti etiologjik nuk reflekton motivim dhe e lë toponimin të pamotivuar. Në gjykimin tim, edhe pse shtetet fqinje i zëvendësuan toponimet e huaja me emërtimet e tyre psh Greqia,Maqedonia etj, nuk e kemi këtë nevojë të domosdoshme. Do të kishte kosto administrative dhe kulturore të madhe por edhe sepse sot askush nuk kompleksohet nga ndonje pretendim territorial apo aq më pak ripushtim. Jo. Toponimet janë shenja historike të invadimeve ndër shekuj dhe nuk ka asnjë arsye të fortë t’i prishim. Madje toponimet e motivuara përderisa përdoren dhe qëndrojnë mirë në lokalitetet përkatëse, nuk ka asnjë arsye që të zëvendësohen. Këto toponime nuk pengojnë njeri, as na i imponon kush; as ka ndonjë rrezik që të vijnë sllavët dhe të na marrin Hormovën, Babicën dhe Çorovodën me arsyen se ua kanë vënë ata emrat. Në këndvështrimin tim, nervi i çështjes së toponimeve duhet të rrahi tek motivimi dhe funksionaliteti, jo tek natyra sllave, turke, arumune apo ilire. Për mua është e panevojshme ruajtja dhe mbajtja e toponimeve që nuk janë përfaqësuese të trevës në karakteristikat e sipërpërmendura dhe si rezultat as te motivuara e as funksionale. Dhe kur një toponim nuk është i motivuar pavarësisht prejardhjes gjuhësore, ai duhet rishikuar dhe pse jo, ndërruar! Kur toponimi është jo i motivuar atëherë toponimet hyjne tek kultura spirituale dhe banorët ndërtojnë rrëfenja mbi emrat, që do të thotë se toponimet nxisin fantazinë popullore, dëshirat e tyre, pra hyjnë me të drejta të plota tek kultura spirituale.
Nuk shoh asgje te keqe, dmth hiq teorine e funksionalitetit, (që është shumë e dyshimte, madje ndonjë tjetër mund të dalë me teorinë që ndërrimi ndihmon funksionalitetin duke sjellë shembull popujt e tjerë që e kanë kryer) nuk shoh se ku mund të ndikojë negativisht ndërrimi i ta supozojmë emrit Çorovoda ( uji i zi -bullgarisht çerno voda). Gjithësesi çdo okupator përbën dhe një faktor mëvete sa i përketë toponimeve. Për shembull, emri i gadishullit që mbyll gjirin e Vlorës – Karaburun – vjen nga turqishtja, “hundë e zezë”. Nuk ka dyshim se e kanë përdorur turqit të parët dhe për ta ka qenë krejt i motivueshëm. Çështja është të kuptojmë pse është adoptuar edhe prej popullsisë shqiptare të zonës. Një shpjegim do të ishte se banorët e sotëm shqiptarë të zonës së Gjirit të Vlorës, kanë mbërritur aty pasi Karaburuni kish marrë këtë emër dhe nuk kanë pasur arsye pse ta ndërronin – siç thashë, një emër i motivueshëm funksionon për bukuri (me siguri do të ketë edhe ndonjë mit etiologjik për të).Kjo hipotezë nuk duhet hedhur poshtë në mënyrë instinktive – dihet se osmanët e morën Vlorën herët dhe do t’i kenë dëbuar popullsitë e krishtera të zonës; ose këto do të jenë larguar drejt viseve më të mbrojtura, p.sh. në Greqinë venedikase ose në Itali. Përndryshe, krejt zona e Vlorës ka një toponimi nga më të larmishmet: emra të lashtë, si Vlorë, Sazan dhe Orikum; të përzier me një mizëri sllavizmash si Drashovicë, Selenicë, Babicë, Shushicë, Vodicë, Gumenicë; por edhe me elemente arumune tek-tuk la-katund (në fshat- Llakatund), dhe natyrisht turqizma, si Kusbaba (edhe emri Sazan, sado që i përgjigjet emrit të ishullit në lashtësi Σάσων, më duket si i përcjellë nëpërmjet turqishtes). Habitesh kur ndesh në ndonjë toponim si Novoselë, “fshat i ri” – po ç’ishin këta sllavë që ngrinin një fshat të ri? Nga vinin? Kur e kanë bërë këtë? Të mos harrojmë edhe se në Vlorë ka pasur një despotat serb në Mesjetë; Ducellier nuk ka gjetur dot shqiptarë në banorët e qytetit në shekujt XIII-XIV – por vetëm një aristokraci serbe dhe një klasë të mesme tregtare kryesisht greke me tek-tuk ndonjë italian ose hebré – përfundime që nuk duhen konsideruar shumë pa vërtetim, por që të bëjnë të mendosh. Gjithsesi, toponimia e sotme sllave e zonës, veçanërisht e Labërisë, nuk është aq serbe sesa bullgare.Por le të kthehemi te Karaburuni. Shpjegimi që e lidh emrin turqisht me ardhjen e vonë të shqiptarëve të tanishëm në Gjirin e Vlorës – them ardhjen e vonë, sepse kjo nuk përjashton fare që në atë zonë mund të ketë pasur gjithnjë shqiptarë, por që janë larguar pastaj që andej, për arsye të ndryshme – pra, ky shpjegim nuk është i vetmi.Le të supozojmë se shqiptarë në Gjirin e Vlorës ka pasur, pa ndërprerje ose brez pas brezi, që para se të shfaqeshin aty turqit, pra që të paktën prej shekullit XIV; në këto rrethana, si do të shpjegohet që toponimi Karaburun, i vënë prej turqve, u pranua edhe prej këtyre shqiptarëve? Ky shpjegim i dytë ka natyrë psikologjike. Të vihemi për një çast në pozitat e një shqiptari që jeton pak a shumë në Gjirin e Vlorës dhe e sheh Karaburunin; por që nuk është peshkatar, as detar, as lundërtar – hipotezë që nuk është dhe aq teorike. Që këtej, mund të imagjinohet se ky shqiptar hipotetik, edhe pse e shihte Karaburunin çdo ditë, nuk e dinte që po shihte një gadishull, ose një “hundë” që zgjatet në det. Që ta dish këtë, duhet t’i vish rrotull me anije ose me lundër; madje, më mirë akoma, ta kartografosh – çka në atë kohë ishte art i të paktëve. Me fjalë të tjera, shqiptari e shihte Karaburunin nga bregu, por nuk ishte në gjendje ta shquante si entitet gjeografik të mëvetësishëm – për të objekti në horizont shfaqej thjesht si vazhdim anonim i bregut të gjirit, pa interes praktik. Përkundrazi, për detarin, një kep ose hundë si Karaburuni kishte rëndësi kritike, që këtej edhe nevoja për ta emërtuar. Këto ishin vetëm disa përsiatje mbi fenomenologjinë toponimike mesjetare në Shqipëri. Tani të shkojmë në Skrapar, tek objektivi përse mendoj se (vetëm) emri Çorovodë duhet ndërruar.
Së pari, mbretëria bullgare sundoi nga viti 851-1017= 166 vjetë në Shqipëri. Treva e fundit shqiptare nga ku u largua sllavi i fundit ishte Skrapari pasi gjenerali shqiptar David Arianiti shtypi qëndresën e fundit të prijësit bullgar Ivaca Vojvoda! Si shkak i relievit te thyer, fiset sllave populluan masivisht Skraparin dhe u ngulitën në zona tëcaktuara duke ose i populluar për herë të parë apo disa duke i riemëruar meqënëse popullata vendase ishte inferiore në numër dhe pranoi toponimet e vendosura. Psh. fshati Vodica( lagështirë- sllavisht) ndodhet në zonë të lagësht pranë Osumit apo Trestikova (tresikova nga përshtatja fonetike- kallamishte -bullgarisht); dumbrava (arumun-dushkajë) janë lokacione në Skrapar. Dhe janë toponime që karakterizojnë përbërjen gjeografike të zonës.Pra janë të motivuar dhe funksionale. Por emri Çorovodë çfarë motivimi gjeografik ka,në mos kulturor apo etnografik? Asnjë! Asgjë përveç dy miteve etiologjike të ‘ujit të zi’ (mbase nga uji i rrëmbyeshëm i Osumit që dikur mund të ketë shkaktuar një fatkeqësi çka është ndodhi e përkohshme apo burimi i Guhakut për shkak të thellësisë edhe pse nuk ndodhet brenda qytetit) dhe aq më tepër ‘ujit të mbretit’ që i afrohet një mitologjie të mirëfilltë. Për mua, emërtimi Çorovodë nuk është i papranueshëm, nuk është aspak pezhorativ,nuk po them këtë gjë por nuk është i motivuar! Së paku, do kisha zgjedhur një emër të tipit ‘syri i kaltër’ sesa ‘uji i zi’ i cili për më tepër bën kontrastin e madh me malet e bardhë morfologjikë e dimërorë të Skraparit. Ka një mori arsyesh logjike për ta bërë funksional këtë vendodhje të kryeqëndrës së Skraparit. E para, pa patur merakun e fërkimeve etnike apo mesazheve ksenofobe me fshinjët,mund të themi se kjo kryeqëndër nuk meriton të mbajë një emër tipikisht ekstrakt të gjuhës bullgare ndërkohë që ndikimet nuk ekzistojnë sot. E dyta, Skrapari me vendbanimin e Vlushës( pas Xarës në Sarandë) vërteton për jetën dhe vazhdimësinë pellazgjike-ilire. Gjithashtu kemi emrin ilir Zelëncka që kishte qyteza e vogël ku shtrihet sot Çorovoda. Së treti aty ndodhet edhe Tomorri i shenjtë dhe dodona pellazgjike-ilire. Më tej ‘rakia e Skraparit’ është e Skraparit dhe asnjëherë nuk përmendet si ‘e Çorovodës’. Më herët, banorët e Tomorricës thoshin se ‘do të shkoj nesër në Skrapar’ dhe jo ‘në Çorovodë’. Kur të pyesin,iu thua se je nga Skrapari. Kur të thonë vizitova Skraparin , isha në Skrapar apo isha në Kanionet e Skraparit nuk ta përmendin Çorovodën. Kjo tregon fare qartë se ky toponim bullgar nuk është ndërfutur mirë asnjëherë në komunikimin social.Për më tepër sa i takon perspektivës turistike dhe infrastrukturore ,administrative, emërtimi Skrapar do ta bënte qytetin më konkret për turistin. Sepse ai do të nisej për Skrapar dhe do mbërrinte vërtetë në ‘Skrapar’ e jo në Çorovodë.