Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi i tij ka mbajtur bisedimet e para me talibanët në Kabul dhe shtoi se Ankaraja është duke vlerësuar ofertën e grupit islamik për të operuar me aeroportin e Kabulit. Erdogan tha se bisedimet janë zhvilluar në një njësi ushtarake të aeroportit të Kabulit, ku përkohësisht është vendosur Ambasada turke.
“Kemi mbajtur bisedimet e para me talibanët, të cilat kanë zgjatur tri orë e gjysmë. Nëse është e nevojshme, do të kemi mundësi për të zhvilluar bisedime të tjera”, tha Erdogan. Duke iu përgjigjur kritikave të brendshme për angazhimin e Turqisë me grupin kryengritës, Erdogan tha se Ankaraja “nuk e ka luksin” të qëndrojë duarkryq në rajonin e paqëndrueshëm.
“Ju nuk mund ta dini se cilat janë pritjet e tyre ose cilat janë pritjet tona pa biseduar”, tha Erdogan. Turqia ka planifikuar të ndihmojë në sigurimin dhe drejtimin e aeroportit të Kabulit, por të mërkurën ajo filloi të tërheqë trupat e saj nga Afganistani.
Erdogan tha se talibanët tani duan të mbikëqyrin sigurinë në aeroport, ndërsa Ankarasë i kanë ofruar mundësinë për të drejtuar logjistikën e tij. Presidenti tha se sulmet vetëvrasëse që ndodhën një ditë më herët në aeroportin e Kabulit, kanë bërë që Turqia të kërkojë më shumë detaje se si do të sigurohet qendra ajrore.