Një stuhi në gotë u ngrit gjatë kësaj jave në rrjetet sociale me emrin e muzikantit serbo-kroat Goran Bregovic, pas lajmit se ai do të performojë gjatë festës së birrës në Korçë.
Për median kosovare, ardhja e Bregovic, këngëtar i ish-Jugosllavisë i cili sipas tyre kishte frymëzuar me muzikën dhe tekstet e tij, dhunën e ushtarëve serbë gjatë masakrave mbi shqiptarët, ishte e papranueshme.
Për të mbështetur këtë pretendim, veshur me një urrejtje të pajustifikuar mbi Bregovic vetëm se ai ishte sllav, mediat iu referuan një prej këngëve të tij më të dëgjuara me titull “Kallashnikov”, duke theksuar se teksti i kësaj kënge përmbante retorikë urryese e për këtë arsye ishte kthyer në himnin e ushtrisë së kasapëve serbë.
Pikërisht nga ky fake news fillon edhe e gjithë vala e e reagimeve të paarsyeshme mbi Bregovic dhe raportin e tij me kulturën dhe historinë e Ballkanit.
Një verifikim i shpejtë i disa gazetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës tregoi që kënga në fjalë nuk ka kurrfarë lidhje me retorikën agresive të dhunës serbe mbi shqiptarët. Siç do të shkruante edhe autori shqiptar Ardian Vehbiu, “ teksti i Kalasnjikov-it të Bregoviçit e tregon haptazi se bëhet fjalë për një këngë romësh, për romët, që duan të lajnë hesapet mes tyre, me kallashnikov”.
Reagim më të fortë ndaj këtij abuzimi me emrin e një artisti vetëm se ai ka origjinën nga ish-Jugosllavia do ta bënte gazetarja e Prishtinës, Una Hajdari, sipas së cilës Bregovic nuk bëri kurrë thirrje për masakra përmes artit të tij e se nuk ekziston asnjë produkt muzikor i tij me përmbajtje urryese mbi kosovarët.
“Kosovarët duhet të ndalojnë policimin e Shqipërisë se si duhet të lidhet me artistët nga ish -Jugosllavia”, shkroi Hajdari në Twitter.
Nëse serbët kanë preferuar të dëgjonin këngët e Bregovic, sipas saj, për këtë nuk mund të jetë fajtor artisti. Debatit shterpë mbi “mëkatet” e Bregovic me kosovarët iu bashkua edhe analisti politik në Kosovë Agon Maliqi, sipas të cilit kjo çështje po ushqente gabimisht frymë ksenofobie.
“Ballafaqimi i Serbisë me të kaluarën e saj fashiste është prioritet për rajonin. Por jo rrallë në Kosovë mungesa e këtij ballafaqimi po përdoret si pretekst për të ushqyer frymë ksenofobie”, shkroi ai.
Në Shqipëri, Profesori i Studimeve Albanologjike, Josif Papagjoni, e quajti sulmin e fabrikuar mbi këtë fake news, si një vërshim llumi që ndez urrejtje të vjetra dhe që çon te nacionalizmi i verbër.
“Ç’eshte kjo mendesi primitiviste keshtu? Ç’jane keto kreni te ngjyera ne idiotesite e lufterave dhe urrejtjeve nacionaliste, pa arsyetuar. Kjo e shtyn dhe nje shekull me tej domosdone e komunikimeve, marredhenieve mes shqiptaresh e serbesh, duke ringjallur makthe, pandehma dhe paranoja, jashte kontekstit historik. Kohet nuk jane te ngrira. As marredheniet mes popujve, qofte dhe rasti mes serbeve dhe shqiptareve, qe ka persiper ankthin e gjakut”, shkroi ai.
Pra në gjithë këtë histori ka dy elementë që trazojnë arsyen e kujtdo që kërkon të kuptojë çfarë ka ndodhur. E para, padija dhe mosdëshira e atyre që shkruajnë online për të verifikuar të vërtetën që qëndronte pas këtij lajmi të rremë mbi Brezovic, përpara se të ndiznin kotësisht zjarrin e nacionalizmit dhe ksenofobisë. E dyta, përdorimi i kësaj teme dhe emrit të një artisti që faktikisht vetëm ka promovuar paqen dhe bashkëjetesën midis komuniteteve, për të thelluar ndasitë, urrejtjen, konfliktin, rracizmin, dhunën, të cilat i kanë rrenjët te e shkuara, por nuk duhet kurrsesi të përcaktojnë sjelljen e shqiptarëve drejt së ardhmes.