Një mosmarrëveshje në lidhje me dy pica me hudhra përfundoi në dhunë në qytetin perëndimor gjerman të Moenchengladbach. Një 23-vjeçare dhe i dashuri i saj blenë dy pica me hudhra në orët e para të mëngjesit, pas një nate të kaluar jashtë, në Moenchengladbach. Kur ata vendosën të shkonin në shtëpi, një shofer taksie fillimisht refuzoi t’i hipte në makinë për shkak të erës që mbanin picat, por më pas përfundimisht ra dakord.
Megjithatë, gjatë udhëtimit, ai ndalon taksinë dhe i kërkon çiftit të dalin nga makina, pasi picat kundërmonin shumë. “Akti u pasua nga një debat, gjatë të cilit të dyja palët dyshohet se u shtynë dhe e goditën njëri-tjetrin”, tha policia.
Kur shoferi i taksisë donte të largohej, gruaja i doli para makinës për ta bllokuar, por taksisti 49-vjeçari u largua gjithsesi, duke e marrë përpara atë. Gruaja mbeti për disa metra mbi kofkën e makinës, para se të binte në rrugë. Ajo u plagos lehtë. Shoferi i taksisë u largua me shpejtësi. Policia e gjeti shoferin pak kohë më vonë dhe i konfiskoi patentën. Ai tani po hetohet për ndërhyrje të rrezikshme në trafik.