Nga Alba Malltezi/
Kur Musine Kokalari deklaroi në gjyq se “edhe pse jam socialdemokrate, nuk do të thotë se e dua Atdheun me pak se ju”, ndoshta, pa dashje, prodhoi një traktat që ende sot e kësaj dite i rëndon si një gur i madh në qafë shoqërisë sonë, duke penguar çlirimin individual dhe progresin shoqëror: Vështirësia e madhe e pranimit të të qënit ndryshe, të të menduarit ndryshe, të të jetuarit ndryshe, edhe pse të gjithë në bashkësinë e qytetërimit dhe ligjshmërisë. Edhe më keq akoma. Ajo që në kohën e diktaturës bëhej në emër të proletariatit, sot bëhet vetëm në emër të egos personale e të mungesës së hapjes mendore, gjë që shihet shumë qartë në disa mes nesh që nuk janë larguar asnjëherë nga Shqipëria dhe nuk janë përballur me realitete të tjera të punës dhe të jetës në botën demokratike, ku të qënit ndryshe, nuk është një problem, përkundrazi një vlerë progresiste.
Eshtë sikur, disa prej nesh, janë katapultuar direkt nga bankat e akuzave të gjyqeve publike të kohës së diktaturës, në rrjetet sociale, ose në mjetet e komunikimit. I njëjti mentalitet, të njëjtat veprime, vetëm se akuzat dhe dënimet absurde të kohës së diktaturës, sot janë shndërruar në ofendime po aq absurde.
Vetëm për të treguar që nuk ndajnë të njëjtin mendim me disa deklarata apo veprime të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, disa nuk e mendojnë dy herë ta sulmojnë e ofendojnë Yuri Kim nga pikpamja fizike, raciale, origjina, duke i modifikuar edhe emrin. Çfarë do të bënin po të ishin në një teatër të kohës së diktaturës e ta kishin Yuri Kim përballë, në vend të Musine Kokalarit apo Sabiha Kasimatit?
Secili prej nesh mund të sjellë shembuj të pafund se si apo pse është akuzuar a ofenduar nga një i njohur apo i panjohur. Personalisht kam ndjerë një egërsi të pakuptueshme e të papritur nga ndonjë (përveç shkrimeve politike) edhe pse, për shembull kam shkruar për një spektakël në La Scala të Milanos, apo se jam nga Shijaku, apo sepse publikoj foto të Natyrës dhe shkruaj për të, apo se lexoj aksh libër, apo sepse respektoj Ligjin. Duket sikur një ekzistencë ndryshe trondit dikë tjetër deri në pikën që veprime të thjeshta të kujtdo një ditë mund të shndërrohen në “armën” që do të godasë me qëllimin për të “ofenduar” pamëshirshëm.
Psikologët një ditë mund të na thonë se janë duke studiuar thellë këtë fenomen, e deri atëherë, mendoj se duhen parë dhe konsideruar si filma bardhë e zi, që nga e kaluara e errët, vazhdojnë të na kërcënojnë e ofendojnë, por që në të vërtetë nuk janë gjë tjetër veçse me të fundit shembuj të asaj shoqërie të egër që pat prodhuar karantina më e gjatë dhe më e shëmtuar e diktaturës.