Sinoptikani Hakil Osmani ka treguar në një lidhje me skype për Top Channel si do të jetë parashikimi i motit për ditët në vijim. Osmani tregoi se problematikë mbetet era që herë pas here do të bëhet më e fortë, gjë që e vështirëson më shumë shuarjen e zjarreve që mbeten aktive në vendin tonë. Ndërsa për temperaturat, në Shkodër, Elbasan dhe Berat do të arrijnë deri në 41 gradë celsius. Hakil Osmani: Parametri i erës gjatë kësaj jave pritet të jetë problematike gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Herë pas here do të fuqizohet duke u bërë e fortë edhe në sipërfaqen tokësore, jo vetëm në det duke krijuar dhe dallgëzim në brigjet detare 2-3 ballë, ndërsa në tokë herë pas here do të krijohen mini stuhi lokale ere.

Përsa i përket kushteve të motit, kjo fillim javë mbetet në mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta, ndërsa e mërkura shton vranësirat në territorin shqiptar duke krijuar shumë mundësira për rrebeshe afatshkurtra në zonat veriore dhe verilindore të territorit shqiptar, ndërsa ditën e enjte priten momente të pakta me pika shiu në zonat jugore të vendit.

Temperaturat mbeten të larta, në qarkun e Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit do të shënojnë vlera deri në 40-41 gradë celsius, por për fat të mirë kemi vlerat minimale, ato të cilat do të jenë më komode ku pritet që në zonat malore që do të regjistrohen deri në 15-16 gradë celsius në vendin tonë, por jo vetëm zonat malore, por edhe në ultësirën perëndimore nuk priten vlera minimale më shumë se 26 gradë celsius.