Nga Mero Baze
Sali Berisha ka postuar një video të vjetër të tij, që u hakërrehet socialistëve në Parlament si një cub me fjalor talibani. Çdo njeri normal do të kishte paguar ta fshinte atë video nga publiku, dhe nëse ekzistonte.
Ai e ka postuar në kulmin e debatit kundër tij, a duhet të hyjë apo jo në Parlament, pas damkosjes amerikane si një politikan që ka minuar demokracinë, ka shantazhuar sistemin e drejtësisë dhe ka vjedhur familjarisht paratë e shqiptarëve, duke qenë në pushtet.
Publikimi është një akt “trimërimi”, në ditët kur debatohet se SHBA është gjunjëzuar nga talibanët në Afganistan, dhe ai ndjehet po aq i fortë sa ata, për të rezistuar në kauzën e tij.
Ai me sa duket do të tregojë se ashtu si talibanët rezistuan 20 vjet për të ardhur sërish në pushtet, dhe ai do të rezistojë qoftë dhe i vetëm.
Nuk duam ta pengojmë në misionin e tij. As në vendosmërinë e tij. Për shoqërinë shqiptare është e dobishme që Berisha të jetë gjithmonë diku duke luftuar të kthehet në pushtet, për të na kujtuar se salibanizmi, është një rrezik për vendin.
Ai në fakt nuk e kërcënon shoqërinë me këtë që bën. SHBA jo e jo. Ai më shumë e bind shoqërinë se çfarë është salibanizmi dhe çfarë mund t’i bëjë ai shoqërisë shqiptare, njësoj si talibanët në Afganistan.
Rezistenca e tij është lajm i mirë. Lajm i keq do të ishte ikja e tij në shtëpi, fshehja e parave dhe milionave të grabitura, të investuara në media dhe pasuri të paluajtshme, dhe përshtatja me situatën për t’u rikthyer në një formë më të fshehtë.
Kjo që bën është më e dobishme për shoqërinë. Është mirë që shoqëria ta ketë para syve të saj çdo ditë një hajdut, një vrasës, dhe një njeri që ka hedhur në erë demokracinë në vend, për të kujtuar cilat janë rreziqet e saj dhe nga kush i vijnë.
Salibanizmi është talibanizmi ynë. Ka pas momente që ka marshuar dhe si taliban në rrugët e këtij vendi, ka pas momente që dhe ka vrarë si taliban në bulevardin e këtij kryeqyteti, ka pas momente që është sjellë me shtypin ashtu si talibanët, por shoqëria jonë e ka mundur vetë, pa ndihmën e amerikanëve. Dhe ky është virtyt i shoqërisë sonë.
Kjo që bëri SHBA tani kundër tij, ishte një akt noterial ndërkombëtar për atë çfarë shqiptarët i kishin rezistuar salibanizmit.
Përpjekja e tij për të përsëritur historinë, tani nuk është më tragjike. Është komike dhe e dobishme për kujtesën e shoqërisë. Është një muze që dëshmon se si shoqëria jonë e ka mundur salibanizmin.