Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka qenë në Pashaliman të Vlorës këtë të martë ku ka takuar ministrin Niko Peleshi dhe drejtorin e Emergjencave Civile, Haki Çako. Kim shpreh trishtimin për dëmin e shkaktuar nga zjarret në vendin tonë. Ambasadorja thotë se populli amerikan do të jetë gjithmonë në krahun e shqiptarëve edhe gjatë kohëve të vështira. “Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të shpreh trishtimin tim të thellë për dëmin e shkaktuar nga zjarret në Shqipëri. Mendimet tona shkojnë për të gjithë shqiptarët gjatë kësaj kohe të vështirë, veçanërisht me ata jetët e të cilëve janë prekur nga shkatërrimi.

Ne i jemi mirënjohës personelit ushtarak dhe zjarrfikësve për aktet e tyre heroike për të luftuar zjarret dhe ndihmuar në parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve dhe pronës. Gjithashtu do të doja të falënderoja Ministrin e Mbrojtjes Peleshi, shefin e Shtabit Begaj dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Çako për përpjekjet e tyre në udhëheqjen e përgjigjes ndaj këtyre zjarreve. Më lejoni ta them sërish, populli amerikan është në krahun tuaj – dhe do të jetë gjithmonë në krahun tuaj – gjatë kohëve të vështira”, tha ambasadorja.

Kim tha se ka takuar ekipin amerikan të ekspertëve të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar me përpjekjet e koordinimit dhe përgjigjes.

“Unë sot jam në rajonin e Vlorës për të takuar ekipin tonë amerikan të ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID, të cilët erdhën në Shqipëri për të ndihmuar me përpjekjet e koordinimit dhe përgjigjes. Unë jam mirënjohëse për përgjigjen e tyre të shpejtë ndaj thirrjes për ndihmë. Ata tashmë kanë filluar të trajtojnë sfidat, duke punuar së bashku me partnerët tanë shqiptarë.

Këto përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpunimi midis vendeve tona është ajo çka aleatët bëjnë për njëri -tjetrin në kohë nevoje. Këto janë çastet kur miqtë dhe aleatët qëndrojnë së bashku për të përballuar këto sfida të vështira.

Unë jam gjithashtu shumë e kënaqur që planifikimi i mëparshëm i emergjencës midis vendeve tona po ndihmon me këto përpjekje, veçanërisht dhurimet e pajisjeve të zjarrfikësve nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 2019. Pajisjet e zjarrfikësve, të tilla si kovat “Bambi” të përdorura nga helikopterët, tani po përdoren për të shpëtuar jetë”, tha ambasadorja.