Ish-presidenti amerikan Donald Trump e ka dënuar ashpër vendimin e pasuesit të tij Joe Biden për të tërhequr trupat nga Afganistani. Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se Biden i ka turpëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë se çdo president tjetër në histori.

“Kjo është një kohë e tmerrshme për vendin. Nuk mendoj se vendi ka qenë kaq shumë i poshtëruar prej vitesh. Nuk e di si e quani, një humbje ushtarake apo psikologjike. Nuk ka ndodhur ndonjë herë diçka e tillë këtu. Mund të kthehesh pas në kohë tek Jimmy Carter dhe pengjet,” tha Trump.

Po ashtu, Donald Trump kritikoi mënyrën sesi administrata e Biden e ka organizuar tërheqjen. Sipas tij, në fillim duhej të ishin tërhequr civilët pastaj ushtarët. Sipas tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të kundërtën.

Sipas ish-presidentit, Biden, në një lloj aspekti do të shkaktojë një krizë akoma të keqe se ajo e pengjeve, pasi talebanët e kanë rrethuar Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul nga pika kontrolli, në të cilat ka pasur raportime për rrahje dhe forma të tjera dhune.

“Ke të bësh me mijëra dhe mijëra amerikanë dhe të tjerë që kanë mbetur atje dhe në një mënyrë shumë të rrezikshme. Kështu që është diçka thuajse e pabesueshme.”