Aid Mehmedovic nga qyteza Tutin pranë Nozi Pazar në Serbi, pushimet e këtij viti vendosi t’i kalojë në bregdetin e Durrësit. Me bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël, ata kaluan 10 ditë në një hotel pranë “Shkëmbit të Kavajës”, në Golem.
“Vëllai im ishte këtu vitin e kaluar dhe këtë vit. Ai ma rekomandoi këtë vend. Njerëzit këtu janë mikpritës, çmimet nuk janë të larta dhe plazhi është shumë afër hotelit. E vetmja gjë problematike janë kandilët e detit, asgjë tjetër” – thotë ai.
Por vëllai duket se nuk ka qenë i vetmi që i ka rekomanduar këtë vend pushimi. “Mund të them se nga Tutini vetëm këto dy muaj këtu kanë ardhur më shumë se 20 familje. Të gjithë ata më kanë folur shumë mirë. Askush nuk ka mbetur i zhgënjyer”.
Gjatë viteve të shkuara, familja Mehmedovic kishte si destinacion Ulqinin e Malit të Zi. Pandemia, mbyllja e kufijve dhe pamundësia për të udhëtuar në shumë shtete evropiane, bëri që turistët serbë të nisnin eksplorimin nëpër Ballkan. Atyre duket se nuk u intereson dhe aq politika e udhëheqësve apo lajmet që përcillen në media. Ne jetojmë afër Shqipërisë, afër Kosovës. Jemi të ngjashëm dhe s’kemi paragjykime. Mbase ne morën më shumë seç prisnim nga Durrësi dhe Shqipëria, prandaj mendoj se kjo është për t’u vlerësuar” – thotë Aid Mehmedovic.
Rajoni “shpëtoi” turizmin vendas
Turistët ballkanas ishin “shpëtimi” i operatorëve turistikë, të cilët prej dy vitesh përballen me vështirësi të mëdha. Një prej tyre është Ilir Kapllani, sipërmarrës prej më shumë se 20 vitesh. Në eksperiecën e tij të gjatë në hoteleri-turizwm ai thotë se 2020 ishte mbase viti më i vështirë, ndërsa ky vit ka disa shenja përmirësimi.
“Ka filluar që vjet në kohën e pandemisë kur ranë turistët e tjerë. Polakë nuk erdhën, italianët nuk erdhën dhe na erdhi shumë mirë që pamë turistë serbë. Kishim vite pa i menduar dhe pa i parë. Për ne është shumë mirë, se ne jemi komshinj. E ka vendosur Zoti për të qenë komshinj me njëri-tjetrin. Unë dua që të shkojmë mirë. Unë e kam biznes, nuk bëj politikë. Unë jap atë që di të bëj unë. Ne kemi tri gjërat nga më të mrekullueshmet që ka Ballkani: kemi diell, kemi rërë, kemi det. Kemi dhe respekt. Ne duam të japim respekt, të na japin dhe ata respekt dhe çdo gjë funksionon” – shprehet Kapllani.
Turistët nga Kosova vijojnë të kryesojnë listën e turistëve të rajonit. Referuar të dhënave të bëra publike nga Instituti i Statistikave, INSTAT, vetëm gjatë muajit qershor 2021 u regjistruan rreth 335 mijë shqiptarë të Kosovës që erdhën të pushojnë pranë bregdetit shqiptar. Vendin e dytë e mbajnë pushuesit e Maqedonisë së Veriut, të pasuar nga turistët serbë./DW