Me telefona në duar, apo certifikatë në letër, qytetarët që janë drejtuar drejt kafeneve, ndalojnë përpara lokaleve dhe dëshmojnë se janë vaksinuar apo e kanë kaluar koronavirusin. Kjo masë që hyri në fuqi nga dita e djeshme, ka bërë që numri I qytetarëve që frekuentojnë kafenetë, të zvogëlohet dukshëm. Për disa nga qytetarët e anketuar kjo gjë nuk është aspak demokratike, ata nuk mund të ndjehen të lirë. “Ndjehem keq, sepse nuk ndjehem i lirë me veten time, për shkak të këtyre kufizimeve, kjo nuk është aspak demokratike.. Unë jam nga Turqia, në Turqi nuk është sikur këtu, qeveria u bën presion qytetarëve që të marrin vaksinën, por nuk është sikur këtu me kufizimet”.
Për disa të tjerë nuk ka aspak problem, për ta më me rëndësi është shëndeti. “Nuk ka problem, vijmë na thonë që t’ua tregojmë certifikatën e vaksinimit, e tregojmë, ulemi dhe nuk ka asnjë problem. Nuk e di nëse është në rregull, por ne gjithmonë shohim tu përmbahemi rregullave. Por megjithatë mendoj se është në rregull sepse bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve.”
Për disa qytetarë të pavaksinuar, stolat afër kafeneve, shërbejnë për pirjen e kafesë.
“Përse jeni ulur këtu?”“Sepse në kafene nuk është e lejuar futja për të pavaksinuarit”. Pyetëm punonjësit e kafeneve, se çfarë do të na kërkonin në rast se do të donim të futemi brenda… “Certifikatë për vaksinë. Të gjithëve ua kërkojmë, nuk kemi probleme aspak, qytetarët që nuk kanë certifikatë nuk futen brenda, përndryshe të gjithëve u kërkohet. Kjo gjë i vështirëson punët, kapaciteti zvogëlohet, nuk ka shumë njerëz, por çfarë të bëjmë”
Nga dita e djeshme gjatë hyrjes në kafene kërkohet certifikata e vaksinimit, apo vërtetim se qytetari e ka kaluar koronavirusin. Kjo masë vlen edhe për koncerte e gara dhe të gjitha ngjarjet ku ka të pranishëm më shumë se 30 persona. Sipas vendimit të Qeverisë, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve, ndalohet puna nëpër pjesët e mbyllura të objekteve hotelierike.