Nju-Jorku njoftoi sot se do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për stafin në shkollat ​​e tij publike, përfshirë mësuesit dhe drejtorët, ndërsa qyteti po përpiqet të ngadalësojë transmetimin e variantit shumë më ngjitës Delta. “Të gjithë punonjësit e departamentit të arsimit duhet të marrin të paktën një dozë vaksine antiCOVID-19 deri më 27 shtator”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio. “Nuk do të jetë e mundur më që të zgjidhni të testoheni çdo javë”, vazhdoi de Blasio. “Ne e dimë se kjo do të ndihmojë të sigurohemi që të gjithë të jenë të sigurt”, shtoi ai për gazetarët.

Qyteti i Nju-Jorkut ka sistemin më të madh shkollor në SHBA, me 1,1 milionë studentë në 1 800 shkolla. Kjo direktivë e re do të prekë gati 150,000 punonjës. Rreth 63 për qind e stafit arsimor janë të vaksinuar, ndërsa 75,6 për qind e të rriturve në qytetin e Nju-Jork, ku jetojnë tetë milionë persona, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, tregojnë shifrat zyrtare.