Prania e variantit “Delta” ka rritur rastet e reja në Shqipëri dhe jo vetëm. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dhënë masat e reja, ndërsa ka folur për situatën në vendin tonë. Nga 100 të shtruar, 8 prej tyre janë fëmijë që nuk ndodhen në gjendje të rëndë. “Ka një shtim të rasteve për fëmijët, por nuk janë rëndë. Aktualisht janë 8 fëmijë të shtruar dhe kanë klinikë më të lehtë se sa dimrin e kaluar, kur fatkeqësisht kemi pasur dhe një humbje jete”, tha Mira Rakacolli.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e zhvilluar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, apeloi për vaksinim, duke i konsideruar shqetësuese shifrat në rritje të infektimeve nga varianti Delta. “Nuk ka tani më asnjë dyshim se vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta. Në Spitalin “Covid 1” janë pothuaj 100 të shtruar, 17 prej tyre në terapi intensive. Janë shumë më pak se sa në rajon, edhe falë shpejtësisë me të cilën Shqipëria nisi vaksinimin masiv, por janë shumë sidoqoftë po të kemi parasysh se jemi ende në gusht.Mjekët më kanë raportuar gjatë gjithë kësaj periudhe se, numri i të pavaksinuarve, është sa 95% e totalit të shtrimeve. Pra është fare e qartë se kush nuk është vaksinuar ende po rrezikon seriozisht, ndërsa përqindja fare e ulët e të vaksinuarve që preken është sidoqoftë shumë më e mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes”, u shpreh Manastirliu.