Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka publikuar mëngjesin e sotëm pamjet nga puna për rindërtimin e Konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “Mirëmëngjes dhe me kantierin e konvikteve të reja të mjekësisë, ku vazhdon pa ndalim puna ndërtimtare, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Veliaj.
Projekti i godinave studentore RSU 2 parashikon ndërtimin e dy objekteve me 8 kate mbi tokë dhe 1 nëntokë, me nga 79 dhoma secili, të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare Eurocode 8, jo vetëm për të garantuar cilësi dhe siguri në ndërtim, por edhe kushte optimale akomodimi për studentët, me hapësirat e përshtatshme të fjetjes, gatimit, leximit, bibliotekë, lavanderi etj. Konviktet që më parë ishin hapësira të zaptuara, sot po u rikthehen studentëve me kushte shumë herë më të mira.