Që kur lajmi u bë i ditur, një grup i madh artisësh, politikanësh, diplomatësh etj, reaguan kundër ardhjes së artisti, sepse thuhet që në tekstet e këngëve të tij ai ka qenë nxitës i ushtarëve serbë përkundrejt ter rorit në Kosovë. Megjithatë, ka patur të tjerë që kanë mbështetur jo vetëm këngëtarin, por edhe artin si simbol bashkimi, duke shtuar gjithashtu që ky debat nuk bën aspak sens, për arsye se në vitin 2006, Goran Bregovic ka mbajtur një koncert në Tiranë, që është pritur shumë mirë. Një ditë para koncertit, në 31 mars 2006, Bregoviç ka qenë i ftuar në emisionin Zonë e Lirë të Arjan Çanit. Pikërisht në këtë intervistë, në pyetësorin me titull “Mitet e Ballkanit”, artisti i shumë përfolur pranon Milosheviçin si “Kasap të Ballkanit”. Arjan Çani: Një serb urren më shumë një kroat apo një shqiptar? Goran Bregoviç: Mendoj që të tre kanë këtë marrëdhënie të komplikuar. Arjan Çani: A mendoni se pas çdo greku është një prift? Goran Bregoviç: Bota nuk është një stereotip. Nuk kam njohur asnjë gjerman që të jetë njësoj me një spanjoll apo me një grek. Në vendet e Ballkanit, marrëdhënia është gjithsesi e komplikuar. Stereotipet tona ndaj shqiptarëve janë të tmerrshme, ashtu si dhe stereotipet e shqiptarëve ndaj nesh, janë të tmerrshme.
Arjan Çani: Çdo femër rumune, a mendoni se është kandidate për prostitutë? Goran Bregoviç: Jo. Arjan Çani: A mendoni se romët, janë më të përbuzur se kudo tjëtër në Ballkan? Goran Bregoviç: Fatkeqësisht nuk jam cigan, por janë një popull që unë i dua jashtë mase. Arjan Çani: Një shqiptar sot në Perëndim a është sinonim i trafikantit? Goran Bregoviç: Njoh shumë pak shqiptarë trafikantë. Arjan Çani: A ka qenë lufta në Bosnje luftë muxhahedinësh? Goran Bregoviç: Ishte një luftë e panevojshme. Arjan Çani: A ishte vërtët Ibrahim Rugova, një “Gandi Ballkanik”? Goran Bregoviç: Sigurisht që po, ai ishte një talent i madh. Arjan Çani: A është realisht Milosheviçi për ju “Kasapi i Ballkanit”? Goran Bregoviç: Mund ta themi dhe këtë, është e vështirë të kesh simpati për atë njeri. Arjan Çani: A mendoni se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe ajo është thjesht bullgarishte, me disa thekse ndryshe? Goran Bregoviç: Unë kam dy bullgare dhe një maqedonase në bandën time, dhe i kuptoj kur flasin, edhe pse flasin gjuhë të ndryshme. Mendoj se gjuhët janë shumë afër njëra-tjetrës.
Arjan Çani: A ka bërë Mlladiçi më shumë krime se ish-presidenti kroat Tuxhman? Goran Bregoviç: Këta njerëz kanë vdekur në këto momente, të paktën njëri prej tyre ka vdekur, por nuk, janë njerëz që unë i simpatizoj. Arjan Çani: A mendoni se folklori shqiptar ka qenë dhe ai i serbëve dhe anasjelltas? Goran Bregoviç: Është një mrekulli për mua të jem në Tiranë. Si ka mundësi që unë jam në Tiranë? Është vetëm 5 km nga vendi ku unë jetoj dhe nga gjuha që unë flas, por ne njihemi shumë pak. Dhe është piërisht për këtë që gjatë kohës së luftërave që kanë ndodhur mes nesh, ka qenë e thjeshtë të vrisnim njëri-tjetrin, sepse ishim kaq pranë, por njëkohësisht njiheshim kaq pak dhe kishim kultura kaq pak të njohura, dhe kaq pak të shkëmbyera. Dhe Hitleri nuk hodhi bomba në Paris, nuk i hodhi sepse njihte kulturën. E njëjta logjikë ishte edhe për amerikanët, kur bombarduan serbët, logjikë e egër.
Nesër do performoj për herë të parë në Shqipëri, jam konsideruar si kompozitori i Ballkanit, dhe do t’ju duket sikur kam vjedhur elemente të muzikës tuaj, por unë vij nga vendi me njerëz që ju mund t’i konsideroni armiqtë tuaj, por shpresoj që pasnesër ne do të njihemi më mirë. Sepse gjithçka që është e komplikuar për politikën, për fenë, e komplikuar për gjithçka tjetër, është shumë e thjeshtë për muzikën.Sepse muzika është gjuha e parë e humanëve. Dhe shpresoj që nesër në Tiranë, unë ta flas këtë gjuhë shumë mirë.