Andriy Shevchenko dhe Ukraina, një histori dashurie që mori fund me zyrtarizimin e largimit nga stoli i kombëtares ditën e djeshme. Ish-su lmuesi i madh drejtoi si trajner kombëtaren e tij në pesë vitet e fundit (52 ndeshje), duke mbërritur deri në çerekfinalet e Euro 2020. 44-vjeçari njoftoi ndarjen me Ukrainën nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. “Sot përfundoi kontrata ime me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Ukrainës. Kam kaluar pesë vite si trajner i kombëtares.

Treguam se jemi në gjendje të luajmë një futboll modern. Shumë falënderime edhe për tifozët, për mbështetjen dhe kritikat e tyre. Së bashku, ne treguam se futbolli ynë mund të jetë konkurrues, produktiv dhe emocionues“, shkroi Shevchenko. Largimi ndodhi për shkaqe ekonomike. sport.ua shkruan se ish-fituesi i “Topit të Artë” nuk pranoi kërkesën e drejtuesve të Federatës për të ulur rrogën e tij.

75 mijë dollarë në muaj fiton Sheva, teksa iu kërkua të kënaqej me 30 mijë dollarë në muaj, pra diçka më shumë se përgjysmimi i rrogës. Refuzimi i trajnerit solli ndërprerjen e bashkëpunimit dhe largimin nga pankina e Ukrainës.