Ministria e Mbrojtjes informon për situatën e zjarreve në vend, ku aktualisht veriu është më i prekur. Ndërkohë zjarri vijon dhe në Himarë, por nuk ka pasur zhvillim, ndërsa ndërhyrja është e pamundur.
Qarku Lezhë-Bashkia Mirditë, njësia administrative Fan, fshati Thirrë – Vatra e zjarrit në drejtim të fshatit Xhuxh është nën kontroll. Në drejtim të fshatit Hebe vazhdon të jetë aktive me intensitet të ulët dhe momentalisht nuk ka rrezik për banesat. Po monitorohet nga forcat në terren nga autoritetet lokale. Bashkia Mirditë, njësia administrative Rubik, fshati Katund i vjetër. Vatra e zjarrit është me intensitet të ulët. Po vijon puna për normalizimin e situatës nga FA, autoritetet lokale dhe vullnetare.
Bashkia Mirditë, njësia administrative Fan, fshatrat Munellë dhe Domgjon – Vatra e zjarrit është aktive me intensitet të ulët dhe djegie sipërfaqësore në malin Munellë. Vatra po monitorohet nga autoritetet lokale.
Qarku Shkodër-Bashkia Pukë, Fushë Kumulli, Qershizë – Vatra e zjarrit vazhdon aktive. Në terren janë angazhuar FA, zjarrfikësit lokalë dhe punonjësit e shërbimit pyjor.
Bashkia Fushë-Arrëz, njësia administrative Blerim, fshati Flet – Vatra e zjarrit vazhdon me intensitet të ulët dhe i gjithë perimetri i tij është nën kontroll. Në terren janë angazhuar autoritetet lokale per mbajtjen nën kontroll të vatrës dhe shuarjen e saj.
Bashkia Shkodër, njësia administrative Gur i zi, fshati Gur i zi – Vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga forca të pushtetit vendor.
Bashkia Fushë-Arrëz, njësia administrative Qafë-Mali, fshati Srriqe – zjarri është afruar afër shtëpive në fshatin Armiraj. Nga ajri po operon helikopteri holandez, ndërsa nga toka po punojne Forcat e Armatosura, zjarrfikësit e bashkisë dhe punonjës të njësisë administrative dhe shërbimit pyjor.
Qarku Kukës
Bashkia Kukës, Maja e Rrunës – Vazhdon vatra me intensitet mesatar. Terreni i thyer malor vështireson ndërhyrjen nga toka, megjithatë FA, zjarrfikësit dhe punonjësit e pushtetit vendor janë duke punuar për izolimin e flakeve. Bashkia Kukës, në vendin e quajtur stanet e fshatit Morinë, në afërsi të malit Koritnikut, brenda parkut natyror Korab-Koritnik zonë e mbrojtur, zjarri është nën kontroll dhe po mbahet në monitorim nga shërbimi pyjor.
Qarku Elbasan
Bashkia Elbasan, zjarri në fshatin Mamel, njësia administrative Gracen, mbi tunelin e Qafë Krrabës është shuar.
Qarku Dibër
Bashkia Dibër, njësia administrative Selishtë, Qafë Murrë, Kaçni – Zjarri është izoluar dhe po digjen trungje e lëndë drusore me intensitet të ulët brenda vatrës së zjarrit. Po mbahen nën monitorim vatrat e zjarrit në Kaçni dhe Qafë Murrë nga punonjesit e njësisë administrative Selishtë.
Qarku Vlorë.
Bashkia Himarë – Vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Përroi i Vishnjës”, vazhdon të jetë aktive. Zjarri nuk ka patur zhvillim të mëtejshëm, por digjen vetëm trungje dhe humus brenda vatrës. Terreni është i vështirë dhe nuk mundëson ndërhyrjen me forca.