Vatrat e zjarrit në njësinë administrative Qestorat të Gjirokastrës për dy ditë rresht u përhapën me shpejtësi, të ndihmuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë në të gjithë luginën e Lunxherisë dhe Antigonesë. Megjithë përpjekjet e forcave operacionale për të vënë në kontroll vatrat e zjarreve dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme. Në përpjekje për mbrojtjen e pronës ka humbur jetën një person dhe janë dy të lënduar, njëri prej tyre pjesëtar i Forcave të Armatosura.

Prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Odise Kote në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se kemi një stabilizim të situatës dhe se aktualisht janë në terren të angazhuara rreth 150 forca. “Janë 21 forca zjarrfikëse dhe 6 mjete nga bashkia Gjirokastër, 4 forca dhe 1 mjet nga bashkia e Tepelenës, 5 forca me 2 mjete të bashkisë Dropull, 100 forca të ushtrisë me 2 mjete zjarrfikëse. Për sigurimin e zonës së emergjencës janë angazhuar nga policia rreth 15 punonjës, 20 punonjës bashkiakë dhe banorë të zones”, u shpreh Kote.

Sipas tij, janë përcaktuar vatrat me rrezikshmëri zjarri sidomos për mbrojtjen e parkut arkeologjik, fshatrave Krinë, Tranosishtë e Qestorat.

Kote theksoi se gjatë ditës së djeshme në fshatrat “Arshi Lengo” e “Asim Zeneli” janë evakuuar disa familje. “Për evakuimin u morën masa nga forcat e ushtrisë dhe policisë. Bashkia mori masa për pritjen, strehimin dhe furnizimin me ushqim të tyre. Nga një vlerësim paraprak dëmet janë të konsiderueshme. Sipërfaqja e djegur dhe përshkuar nga zjarri llogaritet rreth 450 ha. Janë djegur sipërfaqe me vreshta, pemë frutore, tokë arë me të mbjella, oborre banesash në pronësi të fshatarëve si dhe pyje halorë, shkurre e kullotë në pronësi të bashkisë”, tha Kote.

Nga flakët e zjarrit nuk shpëtoi as ish reparti ushtarak.”Arshi Lengo”, i cili u dogj komplet.