Konviktet e Qytetit “Studenti” do të jenë struktura pritëse për shtetasit afganë deri javën e parë të shtatorit, kur ata do të duhet të largohen për t’ia lënë vendin përgatitjen së godinave për akomodimin e studentëve. Kështu u shpreh sot në një prononcim për mediet, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti, duke folur për kushtet e afganëve të strehuar në Qytetin “Studenti”. “Ne dje kemi lëvizur rreth 120 qytetarë drejt një strukture tjetër hotelerie që është në bregdet dhe po e përdorim godinën 11 dhe 12 vetëm si një pikë hyrëse, për të plotësuar të gjitha nevojat e tyre imediate dhe pasi ata kanë mbaruar të gjitha procedurat e regjistrimit në polici, mund të largohen dhe të shkojnë në hoteleri. Pra, këtu janë vetëm në mënyrë të përkohshme”, tha ajo.
Lidhur me numrin e qytetarëve afganë që ndodhen në Qytetin Studenti, Ruseti tha se “ne sot në këtë strukturë akomodojmë 266 persona, pjesa më e madhe e tyre janë fëmijë edhe gra”. “Kemi bërë një vlerësim paraprak në lidhje me numrin, por sikundër e thashë, numri është dinamik. Ne presim që sërish sot të kemi një avion, i cili duhet të sjellë qytetarë të tjerë dhe kjo na e ndryshon gjatë gjithë kohës numrin e atyre që kemi akomoduar. Por në këtë moment të gjithë fëmijët janë nën kujdesin e prindërve të tyre dhe për çfarëdolloj nevoje tjetër që kanë, stafi psiko-social është i gatshëm që t’i ndihmojë”, shtoi ajo.
Ruseti tha se qytetarët afganë janë adoptuar shumë lehtë me kushtet në Qytetin “Studenti”, ku fillimisht ne kujdesemi për nevojat e tyre që janë bazike, që ka të bëjë me ushqimin, veshmbathjen dhe çdo gjë tjetër pasi kanë kaluar testin e COVID-19. “Gjatë gjithë kohës ne përpiqemi që t’ua mbushim kohën, sidomos fëmijëve, me lojëra kreative dhe nëpërmjet animatorëve tanë socialë që janë socialë dhe psikologë, të mundim t’ua mbushim kohën me aktivitete sa më pozitive për ta, që të kuptojnë tashmë që ajo që kanë kaluar është e shkuara dhe që nga momenti që kanë ardhur në Shqipëri i presin vetëm gjëra të mira përpara”, tha ajo.