Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është shprehur e hapur për çdo lloj bashkëpunimi me opozitën, E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ajo tha se dora e PS-së është e shtrirë dhe se është e gatshme të bashkëpunojë për të gjitha çështjet që shqetësojnë opozitën përshirë, Reformën Territoriale apo atë Zgjedhore.

Më tej ajo shpreson se nuk do të ketë më bojkot nga ana e opozitës.

“Ne dorën e kemi të shtrirë, ia kemi dhënë në momente shumë të vështira. Në lartësinë ku jemi dhe përgjegjësitë që kemi nuk mund të merremi me çikërrima politike që të kujtojnë një kohë tjetër. Politika dhe shtetbërja jonë do të fokusohet tek e ardhmja dhe jo te shkuara. Shqiptarët janë të lodhur me këtë ndotje të hapsirës publike ku nuk gjendet gjuha e përbashkët. Në këtë fazë ku jemi, me këto kapërcime të jashtëzakonshme jemi ata që mund ta çojmë Shqipërinë përpara.Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha çështjet që shqetësojnë opozitën . Uroj që debat të ketë, mos vazhdohet me një bojkot që nuk të çon asgjëkund. Reforma territorale, zgjedhore nuk janë tabu për t’u diskutuar. Ne jemi të gatshëm për të gjitha çështjet. Madje kemi deklaruar se jemi të gatshëm edhe për emra, për insituticione”- tha ajo.