Nga Alfred Peza
Mitizimi i liderit të pazëvendësueshëm dominon mbi kulturën e shtetformimit modern ndër shqiptarët, ndaj i adhurojnë ata gjithmonë po njësoj pa kushte, pavarësisht regjimeve e sistemeve. Më shumë sesa Mbretërinë, shqiptarët adhuronin Zogun dhe zogizmin. Më shumë sesa Diktaturën, shqiptarët adhuronin në “Shqipërinë ateiste”, Enverin si Zot dhe enverizmin si fe. Ndaj në vend që ti faleshin si shumica mrekullisë së lirisë, disa në këto 30 vjet, u dalldisën pas berishizmit. Për legalistët, Zogu ishte mbi partinë. Ishte Ai, pa ishin ata dhe Republika fillimisht. Për komunistët, Enveri ishte mbi PPSH. Ishta Ai, pa ishin ata dhe socializmi. Për disa, Saliu është mbi PD. Është Ai, pa janë ata dhe demokratët. Ashtu si pa Zogun, nuk kishte Mbretëri. Pa Enverin, Komunizëm. Pa Saliun, nuk do të ketë Demokraci,- mendojnë ata. Kjo është arsyeja se përse berishistët e sotëm, ashtu si mbretërorët e pardjeshëm dhe komunistët e djeshëm, nuk e kuptojnë dot jetën e nesërme pa Saliun në politikë.
Edhe nëse nuk do të ishte “non grata” e SHBA, edhe nëse nuk do të ishte vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD derisa të përfundojë procesi gjyqësor që Sali Berisha ka hapur në Francë (pse e harruan dhe nuk duan ta kujtojnë?!), berishistët do ta mbronin Atin e tyre politik për çdo gjë tjetër. Ashtu siç e kanë justifikuar çdoherë për gjithçka, nga 8 Dhjetori i 1990 dhe deri më sot. Berishistët e vërtetë,- përtej atyre që e mbrojnë për çdo arsye që nuk ka lidhje me fenomenin që po analizojmë,- nuk shtiren. Ata besojnë realisht ashtu si zogistët dhe enveristët, se me ikjen e Zotit të tyre mbi tokë, bota do të përmbyset. Vërtetë janë të pakët, por edhe shumë të sinqertë në përjetimin e tyre. Duke bartur ngarkesë specifike të lartë, kjo i bën të kenë vëmendje publike. Ata janë krenarë, që bëjnë pjesë në kultin e fesë politike të udhëhequr nga Saliu, ndaj janë të gatshëm për tu vetsakrifikuar për të.
Historia e shoqërisë njerëzore, ka njohur dhe njeh ende, shembuj të tillë. Ndryshimi mes tyre dhe rastit shqiptar, është se tek ne ky raport i mbështetësve të vërbër me liderin e tyre, është ciklil. Vijues. Nga njëra kohë në tjetrën. Pavarësisht regjimeve dhe sistemeve politike që kanë drejtuar dhe epokave që ata kanë dominuar. Tek ne këto grupe fanatikësh, lidhen shpirtërisht deri në përjetësi, me liderin e fortë. Me udhëheqësin e radhës. Derisa Ai të marë për ta trajtën e Mesisë. Ndaj për njëmijë e një arsye, që meritojnë ndoshta një libër më vete, ata janë sot të indoktrinuar deri në verbëri nga berishizmi. Kësaj mase mos i jep kurrë argumenta racionalë. Mos i bëj analiza të qarta nga ana e provave apo sado të ftohta nga ana logjike. Mos i jep asnjë shembull sado të kuptueshëm politik, referencë historike e aq më pak, ti bësh një përqasje të stërholluar filozofike. Sepse është një ndërmarrje krejt e kotë.
Aq e fortë është e ngulitur tek kjo lloj specie e rrallë njerëzore ky raport, sa edhe pasi kanë kaluar 82 vjet nga ikja, mund të gjesh akoma zogistë. Megjithëse kanë kaluar 36 vjet nga vdekja, mund të kesh ende përballë enveristë. Ndaj është kaq e thjeshtë të takosh sot berishistë, për aq kohë sa ai vijon të jetë një momenumet i gjallë i kulturës sonë politike, që ruhet prej tyre. Do ti dalloni berishistët këto ditë, teksa do presin krahëhapur, liderin e sektit të tyre politik. Edhe në Tiranë. Edhe në Fier. Edhe në Gjirokastër. Edhe në Shkodër… e kudo gjetkë ku mosha do e lejojë ende, të rendi sa të mundet nëpër Shqipëri. Është e kotë tu thuash, siç rreken qoftë mbrojtësit e Lulzim Bashës e qoftë të tjerë asnjanës, se Sali Berisha u largua sepse PD nuk mund të rikthehet dot në pushtet duke patur SHBA kundër. Jo. Sepse për ta, mjafton të jetë Sali Berisha dhe ashtu siç “nuk kishte kala që nuk mernin komunistët”, sot nuk ka listë të zezë që nuk zbardhin dot berishistët.
Masa racionale e demokratëve dhe e opozitarëve e di mirë brenda vetes se, thelbi i çështjes është se nuk mund të rikthehen dot në pushtet, duke patur ende Sali Berishën “de facto” mbi krye. Këtë e kuptoi para tyre, shumica e shqiptarëve, që i ndëshkuan me votë më 25 prill. Me shpalljen pas kësaj “non grata”, SHBA thjeshtë na bëri publike arsyet, se përse berishizmi është e shkuara dhe jo e ardhmja. Shqipëria jetoi edhe pa Zogun, edhe pa Enverin e do ecë gjithmonë e më shpejt përpara, edhe pa Saliun. Pasi ikën të zotët, zogizmi dhe enverizmi u anatemuan. Të presim për berishizmin. E sigurtë është se nostalgjikët, do të jenë sërisht mes nesh. Ndërsa idhujt e tyre, le tia lemë në dorë, gjyqit të historisë!