Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është gati të ndihmojë Shqipërinë të marrë veten nga kriza që shkaktoi pandemia. Zëvendëspresidenti i BERZH, Jurgen Rigertink zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko me të cilin ra dakord se duhet thelluar bashkëpunimi për forcimin e sektorit financiar. Sipas Rigterink, Shqipëria u prek ndjeshëm nga pandemia COVID-19, por iu përgjigj fuqishëm krizës. “Tani është koha të ecë përpara dhe të rikthehet në progres dhe rritje ekonomike – një zhvillim që duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm. Këto janë gjithashtu dhe prioritetet e BERZH-it, i cili është i gatshëm të mbështesë vendin teksa del nga kriza dhe ndërton një të ardhme më të mire”, tha ai.

Sejko nga ana tjetër theksoi se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes gjatë vitit 2021 do të vijnë duke vazhduar reformat. Synimet kryesore për kreun e Bankës së Shqipërisë duhet të jenë rritja e konkurrueshmërisë, përmirësimi i mëtejshëm i klimës së investimeve dhe biznesit si dhe forcimi afatgjatë i qëndrueshmërisë së financave publike.