Bledi Çuçi ditën e sotme ka zhvilluar një takim me strukturat e PS-së në Gjirokastër ku i ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të qarkut, Mirela Kumbaros. Pavarësisht se me vendimin e ri të kryetarit të PS-së, Edi Rama do të drejtojë Beratin, Çuçi shprehet se do të vazhdojë që të jetë deputet i Gjirokastrës dhe do të adresojë problematikat apo çështjet që lidhen me banorët e këtij qarku.
Ai thotë se nuk duhet të harrojmë se kemi një përgjegjësi të jashtëzakonshme me mandatin e tretë që shqiptarët i besuan PS-së. “Një takim me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër për “dorëzimin” e detyrës si drejtues politik te Mirela Kumbaro, bashkëpunëtores së shkëlqyer në këto pesë vite punë në këtë qark dhe pjesë e pandarë e suksesit tonë të përbashkët në betejat elektorale. I bindur që nën drejtimin e saj PS do të vijojë të arrijë suksese të tjera elektorale, jo si qëllim në vetvete, por si e vetmja garanci për të çuar përpara punët e projektet që ne kemi për qarkun Gjirokastër, për të jetësuar vizionin tonë për këtë rajon si një pol i rëndësishëm i turizmit në jug të Shqipërisë.
Ndonëse do të drejtoj politikisht Beratin, unë do të vijoj të jem deputet i Gjirokastrës, t’ju përfaqësoj në Kuvend dhe të adresoj problematikat apo çështjet që lidhen me banorët në të shtatë bashkitë e këtij qarku. Suksese Mirelës dhe gjithkujt tjetër që është i angazhuar në strukturat tona. Të mos harrojmë se kemi një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Shqiptarët na dhanë një mandat të tretë si një kontratë të re për të punuar dhe për t’ju shërbyer. Në çdo nivel të qeverisjes duhet të jemi në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve. #skakohëpërpushim” shkruan Ministri i Brendshëm.