Çuditërisht, gjatë verës, ai kaloi në anën tjetër të Milanos. Për Hakan Calhanoglu kapitulli i Milanit përfundoi dhe filloi aventura me magjinë zikaltër. I njëjti qytet, ngjyra të ndryshme dhe një rivalitet i madh. Turku tashmë ka shënuar një gol në ndeshjen debutuese në “San Siro” kundër Genoa, dhe ka dhënë dy asiste.
Nga marrëdhënia me tifozët e Milanit, pas lamtumirës së stuhishme, tek ambiciet e Interit të ri dhe ndjenja me Simone Inzaghi, mesfushori i datëlindjes 1994 u rrëfye në një intervistë të gjatë me “Corriere dello Sport”.
“Kam kaluar katër vite të mira te Milani dhe kam shumë miq atje. Ka pasur edhe momente të vështira, por dy sezonet e fundit kanë qenë më të mirë se dy të parët, falë Piolit. Interi është një ekip i mirë, që fitoi titullin e fundit. Zgjodha të vij këtu, sepse në karrierën time më pëlqen të përballem me sfida të reja”, – nënvizoi turku.
I falur nga tifozët e Milanit? Calhanoglu zbulon marrëdhënien me kuqezinjtë, flet për derbin dhe Zlatan Ibrahimovic: “Kam takuar shumë tifozë kuqezinj, sepse shkoj shpesh për të ngrënë me familjen time në restorant. Ata më kërkojnë fotografi dhe thonë se më duan. Unë nuk kam pasur asnjë problem me askënd në Milano dhe jam ende në kontakt me ish-shokët e skuadrës.
A do të festoj, po shënova në derbi? Nëse ndodh, do ta bëj si gjithmonë. Kam respekt të madh për Ibrahimovic, sepse është një lojtar dhe njeri i madh. Kam kaluar shumë kohë me të. Duke thënë këtë, unë do të jap më të mirën për Interin dhe ai për Milanin. Derbin askush nuk dëshiron ta humbasë”.