Lorik Cana foli ekskluzivisht për “Calciomercato.it” mbi kampionatin italian, që sapo ka filluar: “Interi mbetet favorit për titullin, por ama nuk mendoj se Juventusi do të heqë dorë. Midis Romës, Lazios dhe Napolit shoh se kanë shanse të barabarta”.

Kështu, Lorik Cana, ish-mbrojtës i Lazios, PSG, Olympique Marseille dhe Galatasaray, tani komentues sportiv televiziv, bëri prognozën e tij. Përmes një video-interviste, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare tha se e ndjek dhe e njeh mirë Serie A:

“Unë mbërrita në Itali më 2011, dhjetë vite më parë. Ishte momenti i Milanit kampion të Italisë dhe viti i parë i Antonio Conte si trajner i Juventusit. Pastaj u hap një cikël i sukseseve të jashtëzakonshme për Juventusin”.

Lorik Cana, i cili i “vari këpucët në gozhdë” më 2016, pasi luajti Kampionatin Evropian me Shqipërinë, me shiritin e kapitenit në krah, shton: “Është sezoni i parë, në të cilin nuk është e mundur të kuptohet se cilët janë tre favoritët e kampionatit.

Interi mbetet më i sigurti. Edhe pse ka humbur Lukakun, sulmuesin e vet më të mirë, skuadra zikaltër ka marrë një tjetër po aq të vlefshëm si Dzeko. Interi humbi Hakimin, i cili është e vështirë të zëvendësohet në atë pozicion, por luan me të njëjtën skemë si sezonin e kaluar dhe ka një trajner që e njeh mirë ligën italiane, Simone Inzaghi. Zikaltrit kanë shumë përparësi për titullin”.