Duke filluar nga sot Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç deri sot kanë autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë.
Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por çfarë do të thotë një vendim i tillë?
Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre. Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Por ky vendim duhet thënë që më së shumti dëmton tregtinë në Kosovë pasi shumica e mallrave në vend vijnë nga Serbia.