Agjencia Europiane e Barnave është shprehur sipas një raporti të publikuar sot nga KE se nuk shihet e nevojshme bërja e një doze të tretë vaksine për personat që janë të vaksinuar kundër koronavirusit.

Në raportin e publikuar nga Qendra Europiane për Parandalimin e Sëmundjeve, EMA shprehet se të dhënat tregojnë se momentalisht nuk ka nevojë për një dozë të tretë pasi dy dozat e para po ofrojnë mbrojtjen e nevojshme kundër koronavirusit për të vaksinuarit, raporton abcnews.al.

EMA thekson se vaksinat e miratuara dhe përdorura në BE janë ekstremisht efektive kundër gjendjeve të rënda të koronavirusit, gjë që e bën të panevojshme një dozë të tretë. Për më tepër sipas saj, 1 në 3 të rritur mbi 18 vjeç në Europë është ende i pavaksinuar, gjë që bën të domosdoshme fillimisht bërjen e dozës së parë apo të dytë për këtë kategori edhe nëse do të kishte nevojë për një të tretë.

Megjithatë, EMA bën një diferencim mes dozës së tretë për personat që kanë imunitet normal të trupit dhe ndaj atyre që për shkak të sëmundjeve të tjera, imuniteti u ka rënë. Në rastin e këtyre të dyteve sipas EMA-s, mund të merret në konsideratë bërja e një doze të tretë për të rritur imunitetin.

Kush janë hyn tek kjo kategori? Të tillë janë ata që kanë bërë transplante organesh apo që kanë sëmundje të rënda kronike.

Pavarësisht kësaj, EMA do të vijojë të vlerësojë të dhënat nga infektimet gjatë muajve në vijim për të dalë në një përfundim final nëse do të duhet apo jo një dozë e tretë, ndërsa vendet e BE-së mund të vendosin vetë për programin e vaksinimit që do të ndjekin për popullsitë e tyre në lidhje me dozën e tretë.