Qyteti australian i Melburnit do të dalë nga bllokimi i vendosur në fund të tetorit për të luftuar COVID-19, nëse arrihet objektivi i 70 për qind të popullsisë së rritur të vaksinuar, sipas një “harte” të botuar sot. Rreth pesë milionë banorë të Melburnit janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi që nga 5 gushti. Ky është bllokimi i gjashtë që nga fillimi i pandemisë.

Urdhri i bllokimit do të hiqet kur 70 për qind e personave mbi 16 vjeç të jenë plotësisht të imunizuar, një objektiv që pritet të arrihet rreth 26 tetorit, njoftuan autoritetet e shtetit të Victoria-s, që përfshin Melburnin.

Bllokimi do të përfundojë, por një sërë kufizimesh do të mbeten ende në fuqi, tha Dan Andrews, kryeministër i shtetit të Victoria-s. Restorantet dhe baret do të lejohen të rihapen, por vetëm me një maksimum prej 50 personash të vaksinuar plotësisht, të ulur jashtë, ndërsa ndalimi i vizitave në shtëpi do të mbetet në fuqi. Sapo shkalla e vaksinimit të arrijë 80 për qind, që është planifikuar rreth 5 nëntorit, banorët e vaksinuar plotësisht të Melburnit do të kenë më shumë liri, përfshirë heqjen e maskave ​​jashtë, pritjen e deri në 10 vizitorëve në shtëpi dhe të punuarit në prani në zyra.