Varianti Delta nuk shkakton raste më të rënda të COVID-19 te fëmijët dhe adoleshentët, në krahasim me variantet e tjera, sipas të dhënave të para të publikuara nga autoritetet shëndetësore amerikane.
Shqetësimet për pasojat e variantit Delta ndër më të rinjtë janë rritur, përballë një numri në rritje të fëmijëve të shtruar në spital.
Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), agjensia kryesore federale e Shëndetit Publik në vend, studioi të dhënat nga pacientët e shtruar në spital me COVID-19 në 99 qarqe në 14 shtete, duke mbuluar rreth 10 për qind të popullsisë amerikane.
Në veçanti, agjensia krahasoi periudhën nga fillimi i marsit deri në mes të qershorit me atë nga mesi i qershorit deri në fund të korrikut, kur varianti Delta u bë mbizotërues në SHBA.
Midis këtyre dy periudhave, shkalla e shtrimit në spital te fëmijët dhe adoleshentët, nga mosha 0 deri në 17 vjeç, është rritur në mënyrë efektive pesëfish.
“Por përqindja e fëmijëve dhe adoleshentëve të shtruar në spital me forma të rënda të sëmundjes, për shembull, përsa i përket shtrimit në kujdes intensiv, ishte e ngjashme para dhe gjatë periudhës në të cilën Delta ishte mbizotëruese”, specifikon CDC.
Për më tepër, ky studim tregon se vaksinat ende i mbrojnë mirë adoleshentët kundër Delta-s: nivelet e shtrimit në spital ishin rreth dhjetë herë më të larta për adoleshentët e pavaksinuar, sesa për ata të vaksinuar gjatë periudhës së mbizotërimit të këti varianti.
Për më tepër, një studim i dytë tregon se vaksinimi i të rriturve mund të mbrojë fëmijët nga infektimi.
Në shtetet me mbulimin më të ulët të imunizimit për popullatën e përgjithshme, numri i fëmijëve dhe adoleshentëve në urgjencë ishte më shumë se tri herë më i lartë, sesa në shtetet me imunitet të ulët, kurse numri i shtrimeve në spital pothuajse katër herë më i lartë.
Sipas CDC, studimet tregojnë nga njëra anë se “vaksinimi funksionon” dhe, nga ana tjetër, se “nuk ka pasur rritje të ashpërsisë së sëmundjes te fëmijët”.