Cristiano Ronaldo e ka thyer rekordin e shitjes së fanellave brenda 24 orëve, pasi fanella e tij me numrin 7 doli në shitje pas kthimit të tij në Manchester United.
Në njërin prej transferimeve më të mëdha në historinë e Premierligës, sulmuesi 36-vjeçar u kthye në vendin ku bëri emër. Ronaldo e ka thyer rekordin për shitjen e më së shumti fanellave, vetëm pak ditë pasi u njoftua se ai do ta bartë fanellën me numrin e tij të parapëlqyer, 7.
Tifozët krijuan rende të gjata pranë stadiumit Old Trafford për ta pritur radhën e tyre për ta blerë fanellën e portugezit. Sipas Mirror, brena pak orësh, Unitedi e regjistroi shitjen më të madhe të fanellave online në një uebsajt të vetëm sportiv jashtë Amerikës Veriore. Ronaldo iu ribashkuar Manchester Unitedit nga Juventusit për 23 milionë euro të premten. Superylli portugez nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me djajtë e kuq, me mundësi vazhdimi për edhe një vit tjetër.
Nuk dihej se çfarë numri do të barte në fanellë portugezi, pasi numri 7 ishte i zënë nga Edinson Cavani. Por pas bisedime të Unitedit me sulmuesin uruguaian dhe me Premierligën, Ronaldo e mori numrin e tij të preferuar në fanellë, e cila po shitet flakë tani në dyqanet e klubit.