Dy të dhëna nuk përbëjnë një fakt por dukshëm Partizani nuk është ai i një sezoni më parë. Nëse humbja përballë Teutës mund të qëndrojë, barazimi përballë Skënderbeut shton edhe më shumë tensionin në shtëpinë e kuqe. Ekipi i Ilir Dajës nuk di të fitojë, shfaqi sërish shumë limite duke gabuar thuajse në çdo repart. Jo të kthjellët në fazën sulmuese dhe shumë të prekshëm në prapavijë. Si të mos mjaftojë kjo situatë, as kapiteni Alban Hoxha nuk po arrin të kalojë në nivelin e liderit por gafat e tij po i kushtojë shtrenjtë ekipit kryeqytetas.

Skënderbeu nuk ishte rivali më i vështirë i mundshëm, në letër ishte mese i kalueshëm por Partizani bëri pak për të kaluar këtë pengesë. Në pjesën e parë Musta nga goditja e dënimit lëshoi sinjalin e parë të rrezikshëm ndërsa Stenio Zhunjour thuajse në çdo top që i erdhi në këmbë nuk bëri më të mirën. Skënderbeu nuk qëndroi pasiv në fushë por luajti si i barabartë në ato pak mundësi që iu krijuan.

Në fraksionin e dytë ishte sistemi VAR ai që bëri diferencën duke i akorduar penallti në favor të Partizanit pasi një faulli në zonë ndaj Tedi Carës. Nga 11 metra distancë, Zhunjor u tregua i saktë duke kaluar kryeqytetasit në avantazh. Të dehur nga ky gol, Partizani u përgjum me Hoxhën dhe Damçevskin që nuk koordinohen ndërmjet tyre ndërsa Elvi Berisha përfitoi duke barazuar shifrat në 1-1 në minutën e 57-të. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me Partizanin që del me një pikë nga kjo transferta, pika e parë sezonale për të dy ekipet.