Evropa ka njohur në 2021 verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, sipas shërbimit europian ”Copernicus” mbi ndryshimet klimatike (C3S), e cila nxjerr në pah temperaturat rekord të vërejtura në gusht në vendet mesdhetare të shkatërruara nga zjarret. “Temperatura mesatare qershor-korrik-gusht për Evropën ishte gati 1°C më e lartë se mesatarja e viteve 1991-2020 duke e bërë verën më të nxehtë me një diferencë të vogël 0,1 gradë Celsius, para verës së 2010 dhe 2018″, theksoi ”Copernicus” në një deklaratë.
Temperatura për muajin gusht ishte shumë afër mesatares, e cila fsheh pabarazi shumë të rëndësishme midis pjesëve të ndryshme të kontinentit.
Kështu, temperaturat ishin më të ulëta se mesatarja në Evropën Veriore, por më të larta në lindje dhe temperatura rekord u regjistruan në vendet e Mesdheut. “Gjatë valës së nxehtësisë në Evropën Jugore, një temperaturë prej 48,8°C u regjistrua më 11 gusht në Siçili. Kjo temperaturë, nëse konfirmohet nga Organizata Botërore e Motit, do të ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në Evropë”, nënvizon C3S. “Vala e të nxehtit, e cila goditi gjithashtu Spanjën, dhe në fillim të këtij muaji Greqinë dhe Turqinë, kontribuoi në kushte të favorshme” për zjarret shkatërruese në rajon”, theksoi shërbimi evropian.