Pas takimit që ajo pati sot edhe me Ilir Metën, nuk ka më asnjë dyshim, se Evi Kokalari është “Lulzim Basha” e re për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ose administratorja e re e deleguar prej tyre, për të qenë nesër formalisht, në krye të asaj pjese të opozitës që ata përfaqësojnë tashmë. Kjo lëvizje ka formalizuar ndarjen e dy grupeve opozitare, ku njëra drejtohet nga Lulzim Basha dhe tjetra ka si “lidere” të re Evi Kokalarin. Kjo lëvizje në skakierën e shahut politik, i ka dhënë ndoshta një mësim të panjohur, edhe ambasadores së SHBA më Tiranë që e takoi Evi Kokalarin para se ajo ta formalizonte këtë lëvizje. Duke përdorur një hile “alla shqiptare”, Evi Kokalari përdori fotografinë e qytetares amerikane gjatë takimit me Yuri Kim në Tiranë, si pasaportën e saj të re për të kaluar traun e doganës së kufirit të ambicjeve të saj politike.

Përveçse me aureolën e njëriut të oborrit të republikanëve të Donald Trump, ajo veshi me këtë rast edhe mantelin e njeriut që ndryshe nga Sali Berisha, nuk ka kundërshtimin e administratës zyrtare të Joe Biden. Kur kapi “në befasi” kryediplomaten amerikane në Shqipëri, që ka mbajtur flamurin e çmontimit politik të Sali Berishës pas shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti i Shtetit, vetëm sa mund ta imagjinoni “bombën” që ka rënë pas kësaj në oborrin e SHQUP! Lulzim Basha ka përballë një kundërshtare të re politike brenda llojit, e cila ka përkrahjen e mbështetjen direkte të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit me sa duket, në luftën për lidershipin zyrtar të PD në veçanti dhe opozitës shqiptare në përgjithësi. Evi Kokalari u ngrys deri dje mbrëmjeve nëpër ekranet e televizioneve shqiptare, duke u mbirë me skype nga SHBA në çdo shtëpi shqiptare, për tu gdhirë një ditë të bukur si kjo e sotmja, kandidatja zyrtare për të sfiduar Lulzim Bashën.

Të gjithë ata që kishin ëndërruar për ta vrarë Lulzim Bashën politikisht, me duart e Sali Berishës dhe me mbështetjen në prapaskenë të Ilir Metës, duhet të rikthehen me këmbë në tokë. Ata kanë sot vetëm dy rrugë: Ose do të mbështesin Evi Kokalarin, për ti dhënë asaj fronin e lideres së re të opozitës, ose duhet të gjejnë një mënyrë tjetër për të përmbushur ambicjet e tyre politike në kushtet kur nuk mund të bashkohet dot më as edhe me Lulzim Bashën. Ironi e gjithë kësaj historie, është se Sali Berisha po zhvillon një tur takimesh nëpër Shqipëri me Evi Kokalarin në krah, duke i kërkuar falje demokratëve që u solli në krye Luzim Bashën pa i pyetur fare. Ndërkohë që po bën po të njëjtën gjë, duke u sjellë sërisht në krye dhe duke ua vendosur direkt e në krye të qoshes, Evi Kokalarin. Ndryshimi mes të dyja zgjedhjeve është se, Lulzim Bashën ua solli nga Kosova me rekomandimin e fëmijëve, ndërsa Evi Kokalarin nga SHBA me rekomandimin duket të lobistëve! Lulzim Basha erdhi nga Prishtina për tu bërë më 2005 Princi i ri i së djathtës, në mënyrë që të mësohej me intrigat e oborrit dhe luftën për pushtet, para se të vendoste mbi kokë kurorën e “Mbretit”. Ndërsa Evi Kokalari u hodh me parashutë, për të gjetur në Tiranë këpucën e Hirushes, pa e fshehur ëndrrën me “Mbretëreshë”.

Në të dyja rastet demokratët nuk i pyeti kush. Ata thjeshtë janë vendosur nga Sali Berisha, përpara faktit të kryer. As Lulzim Basha e as Evi Kokalari, nuk u bënë vetë liderë përmes meritokracisë, por ata thjeshtë janë të përzgjedhurit e Sali Berishës. Ata janë të “emëruarit” e tij në krye të PD, për hallin e vet personal, pa vullnetin e të djathtëve shqiptarë. Herën e parë, me zgjedhjen e Lulzim Bashës, kjo skemë përfundoi si tragjedi për Sali Berishën. Ndërsa herën e dytë, historia dihet që përsëritet gjithmonë, thjeshtë si komedi. Alpenews.al