Bruno Fernandes shpërdoroi një mundësi “të artë” për të shmangur humbjen e Manchester United ndaj Aston Villës në “Old Trafford”, pasi dërgoi mbi traversë topin e gjuajtur nga pika e penalltisë, duke bërë që “djajtë e kuq” të dilnin me zero pikë nga kjo sfidë. Gjithsesi ky episod nuk ka lënë gjurmë te fantazisti portugez, që deklaroi se i vjen keq për gabimin dhe shtoi se do të provojë sërish të gjuajë penallti, pa pasur frikë e droje se mund të gabojë sërish.
“Edhe njëherë mora përgjegjësinë që më është dhënë thuajse që ditën e parë që erdha këtu në Manchester për të gjuajtur penalltitë dhe do ta bëj sërish këtë edhe në të ardhmen, pa frikë e droje se mund të gaboj. Falënderoj të gjithë për mbështetjen, sepse të dëgjoja teksa këndohej emri im pas asaj penalltie të humbur, ishte gjëja më e bukur. Do të rikthehem më i fortë”, deklaroi Fernandes.Fantazisti portugez mori përsipër penalltinë ndaj Aston Villës, pavarësisht se në fushë ishte edhe Cristiano Ronaldo, një futbollist që ka qenë gjithmonë gjuajtës i parë i 11-metërshave në të gjithë ekipet ku ka luajtur dhe pikërisht CR7 vrapoi i pari për të ngushëlluar Fernandes pas gabimit nga pika e bardhë.