Shqipëria konsiderohet nga Gjermania sërish si një vend me rrezik të lartë infektimi nga COVID-19. Ambasada e Gjermanisë në Tiranë bëri të ditur sot se, “nga dita e diel, 5 shtator 2021, Shqipëria konsiderohet sërish si një vend me rrezik të lartë nga COVID-19”. Ambasada nënvizon se, “për hyrjen në Gjermani kjo do të thotë se ju duhet të regjistroheni në faqen e internetit www.einreiseanmeldung.de para se të udhëtoni për në Gjermani”.

“Gjatë regjistrimit ju duhet të ngarkoni një dëshmi shërimi nga një infeksion me COVID-19, ose që jeni plotësisht të vaksinuar”, thuhet në njoftim. “Nëse nuk mund të paraqisni asnjërën nga këto dy dëshmi, do t’ju duhet një test i COVID-19 për të hyrë në Gjermani. Megjithatë pas mbërritjes do ju duhet të karantinoheni për dhjetë ditë. Pas pesë ditësh, ju mund të testoheni përsëri dhe, nëse rezultati i testit është negativ, mund t’i jepni fund karantinës”, thekson Ambasada gjermane në Tiranë.