Nisi sot turi i takimeve prezantuese të drejtuesve Politik të Qarqeve, pas vendimeve të marra në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, e nisi turin me Lezhën, ku u bë kalimi i stafetës së drejtimit të këtij qarku nga znj. Lindita Nikolla tek z.Blendi Klosi.

Në fjalën e tij z. Gjiknuri, duke shprehur konsideratën për punën e bërë nga znj. Lindita Nikolla në këto vite si drejtuese e Qarkut Lezhë, tha se është një vlerë e shtuar që Kryetarja e Kuvendit zgjidhet nga kjo zonë.

“Ta shfrytezojmë këtë rast për t’i uruar suksese koleges, znj. Lindita Nikolla, e cila do t’ju përfaqësojë denjësisht. Ky është edhe një mesazh mbështetës që Lezha përfaqësohet nga një zonjë si Lindita, vlerë e shtuar për këtë qark”, u shpreh Gjiknuri.

Lindita Nikolla në fjalën e saj shprehu mirënjohjen për gjithë punën e bërë nga strukturat e Partisë Socialiste për arritjen e objektivit në zgjedhjet e vitit 2021, duke theksuar se kjo frymë bashkëpunimi do të vijojë edhe me drejtuesit e rinj.

Duke vlerësuar z. Gjiknuri dhe z. Klosi për gjithë arritjet e tyre në çdo detyrë që i është besuar, znj. Nikolla u shpreh se Lezha do të vijojë punën për arritjen e të tjera rezultateve pozitive, në sfidat politike të radhës.

“Ishin zgjedhje të vështira, dua t’ju falenderoj të gjithëve për punën dhe falë kësaj pune, ne arritëm që të përmbushim objektivin, që na ishte caktuar. Mirënjohje të gjithë kryetarëve të bashkisë dhe të partisë, edhe pse të gjithë kanë bërë refleksionet e tyre, se ku çaloi puna dhe çfarë duhet të përmiresojmë për zgjedhjet e ardhshme.

Dua ti uroj suksese në detyrën e re Klosit dhe Damianit, vijnë nga qarqe me rezultate të shkëlqyera dhe kjo, jam e bindur që do t’i japi një impuls të ri punës në këtë zonë”, mbylli Nikolla fjalën e saj.

Gjithashtu, numri 2 i Partisë Socialiste, z. Gjiknuri, ka vlerësuar edhe vendimin e marrë në Asamblenë e Partisë Socialiste për caktimin e z. Klosi si Drejtues Politik në Qarkun e Lezhës.

“Kryesia vendosi të delegojë Blendi Klosin si koordinator politik, një nga personat me kontribut të lartë në familjen tonë politike. Z. Klosi ka arritur rezultate shumë të mira, ka pasur rol organizativ edhe më herët dhe ka marrë rezultate të shkëlqyera.

Eksperinca e z.Klosit do të jetë një plus për Qarkun e Lezhës. Por dihet që puna e tij do të duhet të mbështetet dhe nga strukturat e partisë për të arritur rezultate maksimale”, ka vijuar Gjiknuri në fjalën e tij.

Nga ana e tij, Blendi Klosi, në cilësinë e Drejtuesit të ri Politik të Qarkut Lezhë, tha se kjo është një detyrë sfiduese që të gjithë politikanët do të duhet ta marrin përsipër.

“Ndjesi pozitive kur m’u tha emri për Qarkun Lezhë, sepse mendoj se është një nga sfidat, që ne politikanët duhet ti plotësojmë. Duhet të dëshmojmë që jeta jonë dhe politika është një profesion që s’duhet të ngecësh në vend. Objektivi i këtij grupi është shumë i qartë: të tre bashkitë e fituara t’i fitojmë sërish”, tha z. Klosi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, theksoi se mandati i tretë është i vështirë, sepse kërkon më shumë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve dhe se duhet filluar përgatitja për zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Gjithashtu, numri 2 i PS, bëri me dije se mbështetja e tij si Sekretar i Përgjithshëm nuk do të mungojë për askënd, në mënyrë që të përmbushen të gjitha detyrat e caktuara në Asamblenë Kombëtare për ri-organizimin e brendshëm, energjizimin e mëtejshëm të çdo organizate socialiste dhe përmbylljen e këtij procesi ri-organizimi me krijimin e regjistrit digjital të Partisë Socialiste.

“Mandati i tretë është i vështirë, sherret e Partisë Demokratike apo problemet e tyre të brendshme, do ta bëjnë opozitën më radikale kundrejt qeverisë.

Për zgjedhjet elektorale duhet të fillojme përgatitjet, sepse gara tashmë do të jetë dhe më e fortë.

Mbështetja ime s’do t’ju mungojë; si Sekretar i Përgjithshëm më është kërkuar të bëjmë një ri-organizim në mënyrë që t’i energjizojmë më shumë organizatat socialiste.

Është e rëndësishme që procesi i nisur të perfundojë me regjistrin digjital të Partisë Socialiste”, përfundoi Gjiknuri.