Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka prezantuar ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin si drejtuese politike të qarkut.

Në takim me strukturat e Partisë Socialiste, Gjiknuri ka theksuar nevojën për të kryer një proces të plotë analize për rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare me qëllim që strukturat të jenë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2023.

“Kukës, prezantimi i Elisa Spiropalit si drejtuese Politike të Qarkut gjatë takimit me strukturat e Partisë Socialiste, ku theksova nevojën për të kryer një proces të plotë analize për rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare me qëllim që të jemi gati për zgjedhjet vendore të vitit 2023”, shprehet Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh i bindur se me mbështetjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm, eksperiencën e Elisa Spiropalit dhe bashkëpunimin e çdo strukture në këtë qark do arrihet të përmirësohet rezultati në sfidat elektorale të radhës.

“Jam i bindur se me mbështetjen time si Sekretar i Përgjithshëm, eksperiencën e Elisës dhe bashkëpunimin e çdo strukture në këtë qark do arrijmë të përmirësojmë rezultatin në sfidat elektorale të radhës”, theksoi Gjiknuri.