Ilda Bejleri është pa dyshim një nga figurat më të dashura të ekranit dhe një nga më profesionistet sa i përket gazetarisë sportive. Për shkak të eksperiencës disavjeçare në këtë fushë, para disa kohësh, u përfol se Ilda do të kandidonte për postin e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit. Asokohe, thuhej se pas më shumë se 20 vitesh pa konkurrentë, Armando Duka, kreu aktual i Federatës Shqiptare të Futbollit, do të rivalizohej nga prezantuesja dhe tre emra të tjerë. Mes tyre thuhej se ishin Dritan Shakohoxha, me të cilin Ilda ka patur një “përplasje”, Sulejman Starova dhe ish-deputeti Selami Jenisheri.
Sot, moderatorja ka qenë e ftuar në “Ftesë në 5”, me Bieta Sulon, ku ka zbuluar të vërtetën e kësaj historie, për herë të parë. Ilda tha se kishte marrë shumë mesazhe urimi, megjithatë, nuk ka asgjë të vërtetë. “Edhe njerëz të afërt më shkruanin. Por nuk është e vërtetë, sepse në momentin që do të doja të kandidoja, do ta thoja vetë”, duke shtuar se kjo absolutisht nuk është gjë e pamundur. Moderatorja tha gjithashtu, se as kandidaturat e tjera nuk ishin zyrtarizuar në asnjë moment. E pyetur se çfarë do mendonte nëse një grua, do të mbante këtë post për herë të parë, Ilda tha se nuk përjashtohen mundësitë, por sipas saj, ky është një monopol meshkujsh.
Gjithashtu, Ilda shtoi se për momentin fokusin e ka diku tjetër, që e ka zbuluar tanimë. Ajo është bërë pjesë e “ABC News”, ku do të prezantojë një spektakël baleti, “T’ka mami yll”. Në këtë Dance Reality Show, protagonistë do të jenë fëmijët e moshës 10- 15 vjeç, por edhe mamatë e tyre, të cilat do të synojnë, me çdo kusht, që në sfidat e kërcimit fitues të jetë fëmija i tyre. /News31