Në përpjekje për të vënë nën kontroll përhapjen e COVID-19 në vend dhe për të shtuar ndjeshëm shkallën e të vaksinuarve qeveria italiane e drejtuar nga Mario Draghi ka shprehur iniciativën për të zgjeruar përdorimin e detyrueshëm të Green Pass në të gjitha ambientet e punës.
Duke mos u kufizuar vetëm në punonjësit e administratës publike dhe sektorët në të cilët është parashikuar tashmë për bare, restorante, palestra, trena dhe aeroplanë.
Megjithatë një masë e tillë rrezikon të kundërshtohet nga Lega Nord, ku Matteo Salvini prej fillimi të kësaj iniciative e ka shprehur veten kundër saj.
Në një kohë kur diskutimi për Green Pass shtohet Italia do të administrojë dozat e treta kundër COVID-19, në përpjekje për të mbrojtur personat të cilët janë më të rrezikuar.
“Doza e tretë e vaksinës së COVID-19 në Itali, do të fillojë të administrohet që në shtator me pacientë të rrezikuar, si ata të cilët kanë vuajtur nga tumori më parë apo kanë kryer transplantim. EMC dhe ECDC tashmë kanë shprehur mendimin e tyre për këtë çështje”, tha Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.
Njëjtë si Italia, një masë të tillë e kanë marrë edhe Franca, Qipro, Izraeli, Gjermania, Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar.
Edhe pse thirrjet e OBSH-së kanë qenë të vazhdueshme për shmangien e një doze të tretë deri sa të ketë vaksinim të plotë edhe në vendet e varfra, vendet perëndimore kanë ecur përpara në planin e tyre të vaksinimit.
Bazuar në të dhënat e deritanishme 40.4% e popullsisë së botës ka marrë të paktën një dozë të vaksinës antiCOVID, por vetëm 1.8% e njerëzve nga vendet e varfra kanë marrë paktën një dozë. 5.49 miliardë doza janë administruar globalisht dhe 32.11 milion çdo ditë.