Kryeministri britanik, Boris Johnson shprehu sot indinjatën e tij kundrejt vendeve të pasura që kanë thyer zotimin e tyre për të financuar luftën kundër ndryshimit të klimës, në një takim të udhëheqësve në OKB. “Ne të gjithë jemi dakord se diçka duhet bërë, por e pranoj se jam gjithnjë e më i indinjuar që kjo diçka, për të cilën shumë prej jush janë angazhuar, nuk është aspak e mjaftueshme”, tha Johnson. “Janë ekonomitë më të mëdha në botë ato që po shkaktojnë problemin, ndërsa ato më të vogla pësojnë pasojat më të këqija”, shtoi ai.
Vendet e zhvilluara u zotuan në 2009, në Kopenhagë, që të rrisin në 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020 ndihmën për vendet e Jugut, për t’u përshtatur me ndikimet e ndryshimit të klimës dhe për të zvogëluar emetimet e tyre të gazrave serrë.
Por ky synim është larg arritjes: sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), shuma e këtij financimi ishte vetëm 79,6 miliardë dollarë në vitin 2019. Londra, e cila ka premtuar 15 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, njoftoi sot se, nga kjo shumë, 750 milionë dollarë do të ndaheshin për të ndihmuar vendet në zhvillim që të përmbushnin objektivat e tyre të emetimeve dhe t’i jepnin fund përdorimit të qymyrit.